EmailFacebookKontakt

Ne falim, por nuk heshtim…

Kudo e nga kushdo flitet për paqe e mirëkuptim, për dashuri e respekt reciprok. Organizohen seminare, trajnime, simpoziume etj në shërbim të edukimit shpirtëror të njeriut e mbarë shoqërisë.

Megjithatë ka individë e grupe të veçanta ekstremiste që përpiqen të pengojnë e ndonjëherë të minojnë punët e dobishme dhe veprat pozitive, që i hapin rrugën progresit. Ngjarje të hidhura e të papëlqyera ka përjetuar e vazhdon të përjetojë komuniteti orthodhoks, sidomos kohët e fundit nga akte dhune ushtruar ndaj simboleve të shenjta të besimit tonë, si vënia e tritolit kryqit të madh në Xarë të Sarandës, vjedhja e herëpashershme e ikonave në disa kisha e manastire (si: Voskopojë, Ersekë etj.) dhe më së fundi, dëmtimi i turpshëm dhe i rëndë i kampingut të djemve në manastrin e Shën Gjergjit, në fshatin Çukë-Sarandë. Këto veprime të papërgjegjshme dhe tepër dhunuese prekin thellë në zemër e shpirt të gjithë besimtarët orthodhoksë dhe qindra-mijëra njerëz të ndershëm e të qytetëruar në të gjithë botën.

Kryqi për ne është simbol i Dashurisë Sakrifikuese të Zotit për mbarë njerëzimin. Ky Kryq na mëson që dhunës t’i përgjigjemi me paqe, durim e bekim sikurse tha vetë Zoti Krisht kur e gozhduan në Kryq “Fali, o At, se nuk dinë se ç’bëjnë”. Por duke i falur, ne i bëjmë njëkohësisht thirrje të ndalojnë veprat e tyre keqdashëse e shkatërruese ndaj një komuniteti, që vazhdimisht mendon, jeton dhe ndihmon në përhapjen e paqes e dashurisë së vërtetë vëllazërore me vepra humanitare pa bërë dallime fetare, ngjyre a race njerëzore.

Gjithashtu i drejtohemi edhe organeve të shtetit dhe gjithë organizmave joqeveritare, të na përkrahin e të kontribuojnë në respektimin e të drejtave të komunitetit tonë, si forcë e gjallë përbërëse e shoqërisë shqiptare.

Me respekt

Gratë e Lidhjes Orthodhokse “Përhapja e Dashurisë” e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë