– “Nuk do të na braktisë Perëndia” – Me këtë mesazh paqësues dhe shpresëdhënës, Kryepiskopi Anastas vizitoi Vlorën e martirizuar –
Ditën e dielë, 6 Prill, Fortlumturia e Tij, Kryeepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr Anastasi, vizitoi qytetin e Vlorës duke mos marrë parasysh rrethanat tepër të vështira në vend dhe veçanërisht në rrethin e Vlorës. Diçka më e fuqishme se kjo situatë e pasigurtë e shtyu atë që të shpërfillte çdo gjë në këtë udhëtim të rrezikshëm – madje dhe rrezikun për vetë jetën e tij. Kjo shtysë, ishte përjetimi i tij për dhimbjen, pikëllimin dhe zinë që kanë pllakosur qytetin.
Në kishën e Shën Theodhorit, Kryepiskopi Anastas drejtoi Liturgjinë Hyjnore ku u ofroi një mesazh shprese atyre qindra besimtarëve që ishin të pranishëm në kishë.
“Ditët që kalojmë – tha Fortlumturia e Tij duke nisur predikimin, – janë të vështira. Por megjithatë edhe në ditë të vështira e në ditë të lehta edhe në ditë trazirash e paqeje, Perëndia është pranë nesh. Prandaj dhe ne gjatë ditëve të këtij kaosi qëndrojmë me paqe dhe shpresë tek Perëndia. Mjaft njerëz në momente të tilla vështirësohen shumë dhe i kap një dëshpërim dhe humbje shprese. Ungjilli që lexuam sot na jep orientimin e duhur për këto orë të vështira, kur duket sikur fuqia e djallit është e pamposhtshme. Brenda kësaj atmosfere kaq të errët lind një shpresë e Tërëhirshme, ashtu si agimi vjen nga pika më e errët e natës.”
“Ajo që del nga ky fragment i Ungjillit është një mesazh shprese. Ndërsa duket sikur djalli mbizotëron në jetën e fëmijës dhe është i pathyeshëm, ai mund të sfidohet e në fund do të mundet” – theksoi Fortlumturia e Tij dhe vazhdoi:
“Edhe ne sot shikojmë pushtetin e demonit të lodhë, mundojë e shkatërrojë jetën e shumë njerëzve. Nën pushtetin e tij, kaq dëshpërime kaq gjakderdhje dhe kaq tronditje. Kjo mani për të shkatërruar dhe këto padrejtësi histerike i kanë pushtuar e munduar shumë njerëzit. Nga ana tjetër shohim brenda këtij mjerimi, të ketë akoma mosbesim të madh nga ana e njerëzve. Për fat të keq, 10 vjeçarët që kaluan shkatërruan besimin brenda shpirtrave të tyre. Por Krishti, i cili edhe sot edhe nesër është i njëjti, vazhdoi të kontrollojë, udhëzojë madje edhe të shërojë. E njëjta gjë dhe me Kishën e cila është Trupi i Krishtit që vazhdon të shpallë të vërtetën, të drejtojë e të fuqizojë. E para gjë të cilën edhe Zoti na thotë në këtë histori është: “O brez i pabesë dhe i lig”. Këtë gjë Ai nuk e thotë që të na lërë brenda dëshpërimit por që të na tregojë rrugën, e cila të shpie në shpresë e të na vërtetojë se djalli ka fuqi t’i mundojë e torturojë njerëzit, por përfundimisht ai mundet dhe Krishti pavarësisht nga besimi ynë i pakët, mund të bëjë mrekullinë për shërimin e shoqërisë sonë. Njerëzit, sidomos pas gjithë këtyre peripecive që kaluan, shpesh janë ndërmjet udhëkryqit të besimit dhe mosbesimit. Por Perëndia na pranon edhe me atë besim të paktë që mund të kemi. Shumë herë themi: “Po ku je o Zot.” Dhe Ai përgjigjet: “Jam brenda vetë thirrjes tënde.”
Më pas, Kryeepiskopi Anastas tërhoqi vëmendjen, duke thënë, se, që të mundet fuqia e të ligut, duhet lutje dhe kreshmë, një komunikim i vazhdueshëm me Perëndinë, një vigjilencë dhe ushtrim. Pikërisht periudha që kalojmë e deri në Pashkë është një periudhë lutjeje dhe kreshme. Dhe vargjet e fundit të Ungjillit të sotëm thonë atë që Jisui tha për vetveten: “Biri i Njeriut do të jepet në duart e njerëzve.” Por historia nuk mbaron me këtë zhvillim tragjik. Zoti paralajmëron se ditën e tretë do të ngjallet. Përfundimisht, pas kësaj sprove e këtij martirizimi, ekziston fitorja. Ai që ka fjalën e fundit brenda njerëzimit dhe gjithësisë është Perëndia. Ai e ka forcën, por rruga që kjo fuqi të arrijë në jetën tonë është besimi.
Motra dhe vëllezër të mij! E di se vështirësitë akoma nuk kanë mbaruar, por dua t’iu siguroj se nuk do të na braktisë Perëndia. Kur Perëndia është me ne kush mund të jetë kundër nesh?! Le ta kalojmë të gjithë këtë provë duke ia parashtruar veten tonë dhe njeri-tjetrin dashurisë së Perëndisë” – e përfundoi ai ligjëratën.
Më pas e mori fjalën znj V. Kafia, anëtare e Këshillit të Kishës e cila në emër të besimtarëve vlonjatë falenderoi Fortlumturinë e Tij. “Dëshirojmë t’ju falenderojmë juve – tha ajo ndër të tjera – si i madhërishmi i fesë sonë, si njeriu i shenjtë që ndjejmë ne nga zemrat tona. Në qytetin e Vlorës jeni ju i pari që na erdhët të na ngushëlloni, të na thoni këto fjalë kaq të mira, të na mbushni me kurajo, me shpresë, me durim dhe me besim akoma më të madh tek Perëndia.”
Në fund të Liturgjisë pasoi një litani e veçantë, e cila është shkruar nga vetë Kryeepiskopi, ekskluzivisht për situatën aktuale që po kalojmë. Vargjet e litanisë të shoqëruara me: “Mëshiro o Zot!”, ia lanë vendin një përshpirtjeje për të humburit e kohëve të fundit.
Më pas, Fortlumturia e Tij i drejtoi të gjithë besimtarët e mbledhur në kishë, për në port. Tashmë është bërë traditë për popullin e Vlorës që të grumbullohet tek skela e të hedhë lule në det në kujtim të viktimave të Otrantos. Po në atë vend, Kryeepiskopi Anastas kreu një përshpirtje për viktimat e pafajshme. “I përjetshëm kujtimi i tyre” – Jehona e kësaj lutjeje u përçua nga valët e detit për të mbërritur deri në humbëtirat humnerike të Adriatikut.
I pranishëm në skelë ishte edhe Ministri i financave z. Arben Malaj, i cili në mbarim të përshpirtjes e përshëndeti Kryeepiskopin përzemërsisht dhe i solli atij një buqetë me lule nga refugjatë shqiptarë në Greqi. Këtë buqetë, të cilën ai e sillte në Vlorë pas një takimi zyrtar të disa ditëve më parë në Athinë, ia ofroi Kryeepiskopit Anastas për ta hedhur në det me dorën e tij. Para telekamerës së Euronews, z. Malaj vlerësoi aktin fisnik të kësaj vizite të Kryeepiskopit dhe e çmoi atë si personalitetin më të madh fetar në Shqipëri.
Ndalesë tjetër e kësaj vizite ishte jetimorja, e cila strehonte 27 fëmijë të moshave 3-7 vjeç. Në takimin me znj. Eleni Dhima, drejtoreshë e jetimores, Fortlumturia e Tij, pasi u njoh me nevojat e këtij institucioni, deklaroi se KOASH do të marrë përsipër që prej këtij momenti shpenzimet e kësaj strehe. Gjithashtu, meqënëse jetimorja kishte ngelur pa asnjë burim të ardhurash, ai ofroi menjëherë një sasi të konsiderueshme të hollash për të përballuar muajin që vijon. Më pas ai vizitoi fëmijët jetimë. Ngrohtësia shpirtërore, si dhe lojrat e ëmbëlsirat që ai u dhuroi me dorën e tij i bënë fëmijët të futeshin në një botë tjetër larg tmerrit të ditëve që kaluan.
E fundit dhe më e dhimbshmja pjesë e vizitës ishte ngushëllimi i familjarëve të viktimave të Otrantos dhe atyre të dhunës në qytet. Pikëllim i thellë për babain i cili humbi të bijën dhe mbesën e tij; për foshnjën tri muajsh të Aleksandrit dhe bashkëshorten e tij 21 vjeçare; për nënën që u vra brenda shtëpisë së saj duke mos lejuar grabitësit t’i rrëmbenin të bijat. “Kush përbuz të pambrojturin përbuz Krishtin e Kryqëzuar – theksoi Fortlumturia e Tij në familjet e të ndjerëve. – E di se kur humbim njerëzit e dashur, – shtoi ai – fjalët ngushëlluese janë të pafuqishme por ajo ç’ka është më e rëndësishme është dashuria – dashuria e Perëndisë.” Një ndihmë modeste për këto familje u shoqërua së bashku me fjalë kurajoje dhe shprese nga ana e Kryeepiskopit Anastas.
Rrugës së kthimit u bë një ndalesë e fundit në Nartë, ku iu bënë ngushëllimet një familjeje që humbi djalin e saj, oficer policie në krye të detyrës, si dhe u zhvillua një takim spontan në kishën e Shën E Dielës me besimtarët e zonës. Fryma e shpresës u shpërnda edhe këtu në shpirtrat e besimtarëve prej Kryeepiskopit Anastas. Frymë shprese për ditët më të mira që do të presim.
Kryepiskopi u shoqërua gjatë gjithë kohës nga z. Medi Xhelili, kryetar i këshillit të rrethit si dhe nga autoritete të pushtetit lokal.
Andi Nikolla