Një Avva kishte zbritur në qytet për të shitur koshat që kishte thurrur. I këputur nga rruga e gjatë, u ul në shkallët e një shtëpie të madhe që i doli përpara.
Në atë çast i dilte shpirti të zotit të pasur të shtëpisë. Ndërsa po çlodhej, pa ditur gjë për çka ndodhte brenda, pa papritur të vinin me të katra një turmë kalorësish të zinj me pamje tepër të egër. Në derën e jashtme zbritën nga kuajt e tyre ster të zinj dhe u vërsulën në shtëpi.
Jerondi e kuptoi dhe i ndoqi nga pas deri lart në dhomën e njeriut që vdiste. Ai sa i pa lëshoi klithmë rrënqethëse:
– Perëndia im, shpëtomë.
Ata i thanë me të qeshur:
– Tani, në perëndim të jetës sate, u kujtove gjoja për Perëndinë? Shumë vonë e mendove. Përse nuk e thirre që në agim? Tani na përket neve.
Duke i thënë këto fjalë, ato qenie çnjerëzore i nxorrën shpirtin me dhunë dhe me thirrje triumfale u larguan.
Avvai qëndroi si i ngrirë nga trishtimi dhe frika. Pas shumë kohe, kur erdhi në vete, u tregonte edhe të tjerëve për të përfituar nga ato që i kishte shfaqur Perëndia.