EmailFacebookKontakt

Në Berat përurohet kisha e Shën Ilisë

Në 20 korrik, ditën e Profet Ilisë, orthodhoksët beratas përjetuan një ngjarje shumë të gëzueshme: e kremtuan këtë festë të bukur në Kishën e Shën Ilisë të porsarestauruar.

Siç dihet, kjo kishë ndodhet në një kodër dominuese të qytetit të lashtë dhe riçelja e kishave e gjeti atë të rrënuar, si shumë të tjera anë e mbanë vendit tonë, nga regjimi totalitar komunist. Megjithatë shpresëtarët beratas gjatë dy vjetëve të fundit e frekuentonin shpesh atë, duke i kryer ritet në mjedisin e saj të hapur e të shkatërruar.

Këshilli kishëtar i qytetit, kujdestarët e kësaj kishe, të nxitur nga besimtarët e shumtë, vendosën që ta riparonin për të ruajtur vlerat e saj të shumta dhe sidomos afresket e shenjtorëve të shumtë në muret e saj. Për këtë gjë iu drejtuan Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, i cili e miratoi plotësisht këtë vendim.

Kryerjen e të gjitha punimeve e mori përsipër ndërmarrja private e ndërtimit, drejtuar nga z. Miltjadh Baballëku, që u zotua në mënyrë serioze se çdo gjë do të ishte gati brenda datës 20 korrik.

I gëzueshëm për ne ishte dhe fakti se disa besimtarë orthodhoksë me origjinë beratase falën shuma të rëndësishme paresh për këtë kishë.

Besimtarët e lagjes “Mure”, ku ndodhet kisha, si dhe shumë shpresëtarë të tjerë të përkushtuar, gjatë një jave u morën me pastrimin, hijeshimin e të gjitha mjediseve si dhe me ndriçimin me drite elektrike brenda e jashtë mureve të saj.

Ditën e Shën Ilisë në kishë erdhën me qindra besimtarë orthodhoksë si dhe shumë të moshuar, të rinj e vogëlushë që kanë këtë emër për të ndjekur Meshën e madhe që u mbajt nga at Justini dhe at Vangjeli.

Ceremonia e kësaj feste të gëzuar mbaroi me puthjen e Kartës nga ana e orthodhoksëve që kanë emrin Ilia dhe të gjithë u larguan nëpër shtëpitë e veta të lumturuar dhe me besim të shumëfishuar në hirin e Krishtit, të Zotit të gjithëpushtetshëm.

Ilia Zaka
Sekretar i Episkopatës së Beratit