Të mërkurën, në datën 26 tetor, u kremtua me madhështi në Mitro- polinë e Beratit Shën Dhimitër Mirovliti. Një ditë më parë, të martën në mbrëmje, po në katedrale, u krye Shërbesa e Mbrëmësores nga Mitropoliti i Beratit, Imzot Ignati dhe klerikë të dioqezës. Merrnin pjesë besimtarë të këtij qyteti, por dhe mjaft shpresëtarë të ardhur nga qytete të tjera, që mbushën kishën për të nderuar me praninë e tyre shenjtin. Mbrëmësorja përbëhej nga psalme dhe tropare të veçanta të kësaj dite, të cilat të psalura me madhështi zbukuruan përjetimin e këtij kremtimi të shënuar. Gjithashtu u krye dhe Shërbesa e Bekimit të Pesë Bukëve.
Në predikimin për këtë ditë, Hirësia e Tij Ignati, pasi u tregoi jetën dhe dëshminë e këtij shenjti, ndër të tjera tha: “Ndoshta ne mund të mos kemi të gjithë mundësinë që të fitojmë urtësinë dhe aftësinë bindëse të Shën Dhimitrit, me të cilën dëshmori prekte dhe i bënte për vete shpirtrat e njerëzve. Por mundemi me fjalë ndërtuese dhe të dobishme të dëshmojmë dhe të mbrojmë besën tonë. I Krishteri pohues duhet të dëshmojë traditën Orthodhokse. Fjala e dëshmisë së tij duhet të jetë gjithmonë e vlefshme, aq më tepër sot që jetojmë në një epokë të vështirë, ku shumë gjëra sheshohen dhe errësohen. Dëshmia dallon mashtrimin nga e vërteta, jetën e krishterë nga morali i shthurur. Sa herë përballemi me imoralitetin, me dy fjalë vëllazërore, le të këshillojmë të afërmin tonë që t’i shmanget mëkatit. Mjerë nëse nuk kemi guxim të pohojmë besën
tonë ndaj Krishtit, kur Emri i Tij i shenjtë shahet dhe besa jonë e kulluar shpifet”.
Ditën e nesërme, u krye Liturgjia Hyjnore. Në bashkëmeshim, qëndruan Hirësia e Tij Ignati dhe Hirësia e Tij Nikolla. Përsëri kremtimi ishte madhështor, me një pjesëmarrje mbresëlënëse si rrallë herë. Gjatë meshës u bë anagnost njëri prej psaltëve të Beratit dhe bekimi i grurit të Shën Dhimitrit. Përveç predikimit, në fund të meshës Hirësi Ignati u drejtua nga besimtarët dhe ndër të tjera tha: “Ne sot kremtojmë me gëzim të madh Shën Dhimitër Mirovlitin, i cili është dhe shenjti mbrojtës i qytetit të Beratit, por gjithashtu ky gëzim shtohet kur bashkë me ne është Episkopi i Apolonisë, Hirësi Nikolla, i cili është edhe drejtor i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Si vëllain tim, e falënderoj dhe i uroj ecuri të mbarë në këtë Akademi.”
Pas këtij fjalimi mikpritës pasoi dhe fjalimi i Hirësi Nikollës, i cili falënderoi Hirësi Ignatin për mikpritjen e ngrohtë dhe për ndihmën që ka dhënë në Akademinë Teologjike si në dërgimin e kandidatëve, ashtu edhe në gatishmërinë për mbajtjen e mjaft fjalimeve shpirtërore.
Në fund, Hirësi Ignati uroi të gjithë ata që mbajnë emrin Dhimitër apo Dhimitra dhe mbrojtjen e bekimin e Trinisë së Shenjtë për të gjithë të pranishmit.
Thoma Shkira