EmailFacebookKontakt

Ndihmesë për ruajtjen e ekuilibrit ekologjik

Zona bregdetare Karavasta – Divjakë është një nga më piktoresket e natyrës shqiptare. Ajo dallon për vlerat e veçanta dhe të rralla të biodiversitetit të saj. Element i rëndësishëm i saj është edhe kurora e blertë e pyjeve, e cila formon një kontrast të mrekullueshëm me kaltërsinë e pafund të ujrave të Adriatikut.

Kohët e fundit drurët halorë po kërcënohen seriozisht dhe po vihet në rrezik ekuilibri i këtij ekosistemi të rrallë. Ky dëmtim, që ka pamjen e një stresi të mirëfilltë ekologjik, sjell “skeletimin” e pishave, shkaktar për të cilin është një krimb që zhvillohet në bisqet e halorëve.

Krimbi mori një përhapje të menjëhershme duke paraqitur një kërcënim serioz për biologjinë e pyllit. Kjo situatë e jashtëzakonshme natyrore u vlerësua menjëherë nga sektorët përkatës të Kishës sonë.

Ajo u vlerësua veçanërisht nga Kryepiskopi Anastas, i cili siguroi edhe fondet për nisjen e luftimit të parazitit.

Sipas specialistit të pyjeve, ing. Thoma Shqevi, dëmtuesi është krimbi i llojit “processionaries”. Ai ka dëmtuar kryesisht në pyllëzimet artificiale të Manastirit të Ardenicës. Pas një studimi të detajuar të pishave të prekuara, rezultoi se rreth 2 000 drurë janë skeletuar.

Tashmë një skuadër prej 10 vetësh nga fshati Kolonjë i Lushnjës, së bashku me specialistin e pyjeve, ka filluar luftën për shkatërrimin e qeskave (foleve) të këtij dëmtuesi. Lufta në menyrën mekanike për asgjesimin e “processionaries” së pishës parashikohet që të kryhet deri në mesin e muajit të ardhshëm. Ndërsa në muajt mars dhe prill do të vrojtohet procesi i zbritjes së këtij insekti dëmtues në tokë. Për këtë është menduar që të bëhet një aksion duke ftuar të rinjtë e fshatit por edhe studentët e shkollës Teologjike të shën Vlashit në Durrës.

Evis Pano