EmailFacebookKontakt

Ndihmë që gjallëron shpresën

“Shoku, miku, vëllai”, janë këto fjalët mikpritëse të grupit të të rinjve orthodhoksë çdo të shtunë në Burgun nr. 325 të Kryeqytetit. Banorët, ngjeshur në pragun e dhomave apo pas derës kryesore të regjimentit të burrave dhe në atë të grave, presin kështu njësoj si pjesëtarë të familjes së secilit prej tyre miqtë e afërt, grupin e të rinjve orthodhoksë, së bashku me at Theologun. Kjo miqësi, ndoshta e çuditshme apo edhe e pakuptueshme për shumë qytetarë të tjerë në rrugët e Tiranës, vazhdon prej një kohe të gjatë mëse dyvjeçare.

Për shumë prej tyre, ndoshta këta janë të vetmit vizitorë që i pranojnë mes tyre, e për më tepër u afrojnë dashurinë humane dhe dashurinë e Perëndisë.

Eshtë kjo një nismë e fuqishme, për t’u qëndruar sa më pranë të dënuarve, për të lehtësuar sa më shumë dhimbjen e vuajtjes së dënimit të tyre. Në fillim, ndoshta të stepur ndaj një të papriture të madhe, një pasiguri e pse jo edhe një frikë e madhe, por me zemrën të mbushur me besimin tek Zoti, këta të rinj u drejtuan përpara derës së hekurt të burgut.

Një grup prej 5-6 vetash nga djemtë në regjimentin e burrave, sëbashku me një grup vajzash në regjimentin e grave, kalojnë disa orë mes tyre çdo të shtunë. Ata çojnë fjalën e Zotit, dashurinë e pakufishme të tij, shpresën, respektin për tërë njerëzimin.

Kështu grupi i të rinjve orthodhoks u sjell atyre ndihma simbolike, si ushqime, sende për plotësimin e nevojave të përditshme, veshje, libra, gazeta e revista etj. Janë këto ndihma modeste, që burojnë nga të ardhurat e vetë të rinjve orthodhoks. Vërtet një gjest i rrallë humanizmi. Kjo kurajo dhe dëshirë e të rinjve gjeti mbështetjen e plotë dhe nxitjen e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili mundësoi edhe një fond të veçantë për këtë vepër.

Por nuk është vetëm kjo ndihma e dhënë nga Kisha Orthdhodokse Autoqefale e Shqipërisë. Sipas ligjit shqiptar, të burgosurit mund të blejnë ditët e vuajtes së dënimit të tyre, sipas orëve të punës të kryer prej tyre. Një ndihmë e madhe ju vjen edhe nga Kisha jonë. Për regjimentin e grave kanë çuar atje makina qepëse, copa të ndryshme, duke krijuar kështu mundësi që ato të punojnë. Të ardhurat janë tepër simbolike, por ato mund të blenjë ditët e vuajtjes së dënimit. Kështu do të dalin më shpejt, për t’u kthyer pranë të dashurve të tyre.

Një tjetër iniciativë e bukur Rinisë Orthodhokse, është ndërtimi i një serre për lule të freskëta për qytetarët e Tiranës. Sa ide e bukur dhe njerëzore. Lule nga mjedisi i dhimbjes. Lule jete, lule paqeje nga duart, nga shpirti këtyre njerëzve të Perëndisë, që tashmë të penduar, do t’u japin qytetarëve të kryeqytetit. Mbjellin e rrisin me aq kujdes e dashuri trëndafilat, karafilat, luleborat e çdo lule tjetër dhe shpërndajnë nga duart e tyre një mesazh sa të bukur aq edhe njerëzore. Lule. Në petalet e këtyre luleve, jeta lulëzon për këdo. Jeta është e bukur. Këto lule ua kujtojnë edhe një herë më shumë këtë të burgosurve.

Kjo do t’ju jepte atyre një mundësi tjetër për të punuar. Me atë punë, përveç kalimit të kohës së tyre, ata mund të ndjehen më të vlefshëm. Kisha Orthodhokse u jep atyre edhe një mundësi tjetër për të përfituar nga ligj. Vetë fitimi i kësaj veprimtarie do t’i përmirësojë shumë kushtet e të burgosurve në këtë burg. Kjo do të jetë ndoshta edhe një nxitje e fuqishme për të tjera nisma të tilla.

Besimi në Zotin Jisu Krisht, apo pagëzimi janë dëshirat dhe ndjenjat e shumë prej këtyre “banorëve”. Në këtë burg ka ndodhur ajo që ndoshta nuk ka ngjarë në asnjë vend tjetër të tillë. Me dëshirën e vetë të burgosurve, qershorin e kaluar, 6 prej tyre janë pagëzuar. Kjo shërbesë nuk u krye në mjediset e kishës. Këta 6 njerëz e kanë marrë shpirtin e shenjtë në mjediset e kuzhinës së burgut, në një ceremoni të thjeshtë dhe të ngrohtë. Nuk është e rastit, pra, që tani ka edhe të tjerë që e kërkojnë këtë bekim. Ndoshta besimi dhe qetësia shpirtërore e grupit të parë të të pagëzuarve të parë mes të burgosurve e afrojnë më shumë Zotin dhe nevojën e Tij tek shokët e tjerë. Bisedat e ngrohta, mbështetja, urtësia, dashuria e mbi të gjitha të dëgjuarit dhe mirëkuptimi i grupit të të rinjve orthodhokë, së bashku me At Theologun, kanë tërhequr prej kohësh këta të burgosur. Ata kanë zënë një vend të veçantë në zemrat dhe në dashurinë tyre. E kjo është një ndjenjë e ndërsjelltë. Ata kanë vendosur një urë lidhëse të fortë midis tyre. Bisedat e ngrohta vazhdojnë. Në dhoma, mbi kokat e krevateve, mbi tavolina apo pranë radios dhe televizorit, qëndrojnë të varura ikonat e shenjtorëve tanë. Ato sikur afrojnë paqe, qetësi dhe forcë në ato mjedise të izoluara.

Një nga të rinjtë e grupit orthodhoks, Naumi, mendonte me ndrojtje çastin kur do të takonte të burgosurit, nga vetë fakti që ata kanë kryer një krim e janë mbyllur aty. I burgosur, nuk është një fjalë e lehtë për t’u thënë. A mund të mendonte, se do të bëhej shok me ta? Por besimi i tij tek Perëndia, mësimet e Tij, lutjet, i dhanë përgjigje për çdo pyetje të tij. Në të vërtetë ai tashmë e ndjen se ka gabuar; ata janë njerëz me mirëkuptim të madh. Dhe gjithmonë, ka edhe ndonjë kokërr molle, një portokall, një pije freskuese apo edhe një gotë ujë për grupin e të rinjve nga këta banorë të këtij burgu. Mirënjohje, dashuri, qetësi pa fund…

Evis Pano