Enoria e kishës “Metamorfoza e Zotit Krisht”, Gramsh, është dalluar gjithmonë për ndihmën dhe mbështetjen e familjeve në nevojë. Me bekimin e Mitropolitit, Hirësi Andonit, duke pasur parasysh situatën e vështirë ekonomike, të rënduar veçanërisht kohët e fundit, u ndihmuan 10 familje, duke iu dhuruar bagëti apo pula. Qëllimi ishte jo vetëm ndihma për këto familje në nevojë të përzgjedhura me kujdes, por edhe krijimi i mundësive për to për të krijuar të ardhura.
Kjo u bë e mundur me ndihmën financiare të Qendrës së Krishterë Orthodhokse të Hierapostullimit në SHBA (OCMC), nëpërmjet një projekti për të cilin ishte aplikuar nga enoria. Enoria e “Metamorfozës”, në afro 5 vjet, ka mundur të grumbullojë e shpërndajë ndihma me një vlerë rreth 110 mijë euro për komunitetin e zonës. Ndihmat jepen pa asnjë dallim fetar apo tjetër.
Këtë veprimtari e ka ndjekur nga afër Hirësi Andoni, i cili kishte ardhur në enori me rastin e dorëzimit të shtëpisë së ngritur për një familje nevojtare.
J. M.