EmailFacebookKontakt

Ndihmë e Kishës për rehabilitimin e godinave shkollore

Në kuadrin e programit të Zyrës “Shërbimi i Dashurisë” të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në bashkëpunim me zyrën e emergjencave të Këshillit Botëror të Kishave (DA/ACT), u rehabilitua edhe shkolla e mesme e përgjithshme e fshatit Luz i Vogël, në rrethin e Kavajës. E gjithë kjo veprimtari, përfshihet në një program të gjerë ndihmese për riparimin e godinave arsimore, të cilat u dëmtuan gjatë krizës së të ardhurve nga Kosova, vitin e kaluar dhe është zhvilluar nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas.

Duke qenë se godina e kësaj shkolle ishte në gjendje mjaft të dëmtuar, asaj iu bë një rikonstruksion i plotë dhe i thellë. Kështu u bë suvatimi dhe lyerja e të gjitha mjediseve të brendshme, si dhe e atyre të jashtme.

U bë një shtesë anësore, për të pajisur çdo kat me mjediset e nevojshme higjeno – sanitare.

U zëvendësuan të gjitha dyert dhe dritaret e shkollës me të reja duralumini.

U vendos një sistem bashkëkohor dhe tërësisht i ri elektrik.

U riparua tarraca dhe u vendosën rezervuarë për ujin me kapacitet 2000L.

Shkallët e shkollës u veshën me mermer.

U hapën gropa septike, sipas një projekti holandez që do të shërbejnë pa probleme të paktën 10 vjet.

U bë rrethimi i ri i territorit të shkollës.

U bë pajisja e të gjitha klasave me banga e karrige të reja, si dhe me pajisjet e nevojshme për mësimdhënien.

Vlera e këtyre punimeve së bashku me rehabilitimin e kopshtit të fshatit arriti në 161 mijë dollarë.

Edhe në 6 – mujorin e dytë të këtij viti do të vazhdohet të punohet për rehabilitimin e disa kopshteve e shkollave në zona të tjera të vendit.

Korresp. i “Ngjalljes”

Letër falenderimi

Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Hirësisë së Tij, Profesor Doktor Anastasit

Ne kolektivi mësues – nxënës i shkollës së Mesme të Bashkuar “Qamil Xhani”, Luz i Vogël Kavajë, në këtë mijëvjeçar e fillojmë vitin e ri shkollor, falë bujarisë së zotërisë suaj, me ambiente mjaft komode, krahasuar me një vit më parë. Na bëhet zemra mal kur rreshtohemi përpara godinës së shkollës që ju keni rehabilituar dhe pajisur. Kjo na bën më të ndërgjegjshëm për punë më serioze në drejtim të rritjes së cilësisë së punës mësimore – edukative. Godinat që keni rehabilituar ju (shkolla dhe kopshti i fëmijëve), bie në sy të komunitetit, duke rritur shumë prestigjin tuaj në këtë zonë.

Për këtë punë që keni bërë ju, Hirësi Anastas, Zyra ACT/DA me personat përkatës të ngarkuar për ndjekjen e punimeve, të cilët janë treguar të palodhur, dëshirojmë që lidhja jonë të vazhdojë, duke mos e shkëputur vëmendjen për ndonjë ndihmë të mëtejshme, që do të jetë e mirëpritur nga ana jonë.

Me respekt

Nga kolektivi mësues – nxënës
i shkollës “Qamil Xhani”
Luz i Vogël Kavajë
Drejtori
Haki Hajdini