Fikas – Elbasan
Dëmtohet kryqi i vendosur aty ku më parë ndodhej kisha orthodhokse
Ndihemi gjithnjë e më shumë të kërcënuar
dhe të lënduar në ndjenjat dhe besimin tonë
Ne, klerikët dhe besimtarët orthodhoksë të Elbasanit jemi duke ndjekur me shumë shqetësim dhe jemi të tronditur prej trysnisë që po ushtrohet në vijimësi ndaj komunitetit tonë orthodhoks dhe nuk mund të heshtim përballë kësaj gjendjeje që sa vjen e rëndohet.
Pas dëmtimit të afreskeve të Onufrit, në kishën e Shën e Premtes, në Valësh të Shpatit të Elbasanit, para një muaji, i cili ka mbetur ende pa autorë, një tjetër sulm iu bë simbolit orthodhoks, Kryqit në fshatin Fikas të Komunës së Bradasheshit. Më konkretisht, në datën 12 shkurt 2013 u konstatua prej banorëve të zonës si dhe nga kalimtarët e rastësishëm, dëmtimi i qëllimshëm i kryqit, i cili qëndron në vendin e shenjtë, ku më parë ndodhej kisha.
Përpara këtyre sulmeve dhe akteve barbare ndihemi gjithnjë e më shumë të kërcënuar dhe të lënduar në ndjenjat dhe besimin tonë. Simbolet dhe objektet fetare, si shprehje të lirisë së besimit dhe të respektit reciprok, duhet të gëzojnë respektin dhe mbrojtjen e duhur nga të gjithë, pa dallim. Harmonia fetare shprehet pikërisht në këto vlera që ne si popull kemi ditur shumë mirë t’i ruajmë e që vazhdimisht duhet të mos lejojmë që të cenohen në të ardhmen.
Së fundmi, kërkojmë nga organet e
rendit dhe strukturat shtetërore, të tregojnë
vëmendjen dhe efikasitetin e duhur në
zbulimin dhe parandalimin e akteve të tilla,
duke ndalur duart shkatërruese dhe
mendjet e mbrapshta.
Elbasan, 13 shkurt 2013