EmailFacebookKontakt

Ndërsa zoti Kuçuku fantazon kthimin e Shqipërisë në “Sarajevë”, Kryepiskopi Anastas ka ndërmarrë iniciativa konkrete për të çuar mesazh paqeje në Sarajevën e Bosnjës

Redaksisë së gazetës “Republika”

“Ndërsa zoti Kuçuku fantazon kthimin e Shqipërisë në “Sarajevë”, Kryepiskopi Anastas ka ndërmarrë iniciativa konkrete për të çuar mesazh paqeje në Sarajevën e Bosnjës.”

Më datën 9.1.1994, në gazetën “Republika” është botuar shkrimi “Sarajevat e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. – greku Janullatos do të ndryshojë statutin e Kishës Shqiptare.”, të zotit Bashkim Kuçuku, kryeredaktor i gazetës “Camëria”. Një tjetër “këshilladhënës” ne radhen e atyre që s’kanë të bëjnë fare as me Kishën, as me Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë. Dëshirojmë të sqarojmë:

Autori i artikullit i referohet informacionit të buletinit grek ANA, të datës 25 shtator 1993, i cili me përjashtim të një citimi të vetëm – “Qëllimi ynë parësor është të ndihmojmë të gjithë popullin që jeton në Shqipëri, pavarësisht nga besimi fetar apo kombësia” – nuk përfaqson ide të Kryepiskopit Anastas, por interpretime gazetareske. Por, vërejmë se:

Së pari, edhe citimi i sipërpërmendur është kryekëput i deformuar në artikull, pasi në buletinin në fjalë thuhet “Qëllimi ynë parësor është…”, ndërsa zoti Kuçuku përkthen “Qëllimi i Kryeministrit tonë është…” [Shiko origjinalin në anglisht – “Out prime aim is to..”]. Dhe ky s’është i vetmi amatorizëm në përkthimin e tekstit.

Së dyti, interpretimet e gazetarit të ANA, në shkrim paraqiten si citime të fjalës së Kryepiskopit Anastas, duke i futur në thonjëza (në kundërshtim flagrant me origjinalin). Kjo bëhet qëllimisht, për t’i dhënë pamjen e vërtetësisë tezave dashakeqe të artikullshkruesit dhe është e papranueshme për rregullat dhe etikën e shtypit.

Duam të deklarojmë gjithashtu, se, ndërsa artikullshkruesi ka fantazinë perverse të shohë kthimin e Shqipërisë në “Sarajevë” (duke fyer rëndë besimtarët e të tri besimeve). Kryepiskopi Anastas ka ndërmarrë nisma konkrete për të çuar mesazhe paqeje në Sarajevën e Bosnjës. Dhe Konkretisht, që një vit më parë, ai ka këmbëngulur për realizimin e një vizite të përbashkët të udhëheqësve të të gjitha komuniteteve fetare të Shqipërisë në Sarajevë, për të çuar aty shembullin e bashkëekzistencës paqësore të feve në Shqipëri.

Sa për bindjet dhe pikëpamjet e Kryepiskopit Anastas, për marrëdhëniet ndërfetare, ato janë të njohura botërisht për dekada të tëra, në botën fetare kristiane, islame e të tjerë. Ato janë të afirmuara në botimet dhe me jetën e tij. Si shembull mund të sjellim që nga fjalimi i fronëzimit, ku thekson “Duke vazhduar traditën e vjetër të tolerancës fetare në Shqipëri, përkrah sinqerisht bashkëekzistencën paqësore dhe respektimin reciprok të komuniteteve të ndryshme fetare”, ku e lexuan dhe e dëgjuan të gjithë besimtarët orthodhoksë; apo takimin ndërfetar që u zhvillua në Milano në shtator 1993 në të cilin morën pjesë edhe hirësitë Mirdita e Koçi dhe zoti Serreqi, ai theksoi “…Jo një tolerancë e thjeshtë fetare, por respekt dhe mirëkuptim reciprok, dialog konstruktiv, bashkëpunim krijues për qëllimet humane të përbashkëta të shoqërisë sonë”; për të arritur tek referimi shkencor i dhjetorit 1993 nga podiumi i Akademisë së Athinës “Tradita dhe vizioni i bashkëekzistencës paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri”, të marrë si shembull për bashkëekzistencën paqësore dhe respektimin reciprok të komuniteteve të ndryshme fetare”, ku ai shqyrton problemet e Ballkanit dhe më gjerë.

Zyra e Shtypit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë