Meqenëse një gënjeshtër kur përsëritet vazhdimisht mbetet, atëherë edhe e vërteta duhet përsëritur më shumë. Kështu ndodh edhe me përkatësinë fetare të Gjergj Kastriotit, për të cilën ka disa dokumente që dëshmojnë të qenurit orthodhoks apo martesën orthodhokse. Mund të jenë të pakta, por ekzistojnë, ndryshe nga afirmimet e kundërta, që mbështeten në sajesa fantazie, pa asnjë bazë historike. Këtu po rijapim një fragment nga një shkrim i atë Justin Anthimiadhit, botuar në revistën “Kërkim” nr. 1, që sjell disa të dhëna:
Për shën Nifonin ekziston një bibliografi mjaft e pasur, pasi jeta dhe veprimtaria e tij ishin të shumanshme dhe u zhvilluan në vende të ndryshme… Burimi i parë i informacionit është nxënësi i Nifonit, hieromonaku Gavril, i cili u bë pesë herë “Protos” (kryetar) i Malit të Shenjtë dhe më pas u martirizua në vitin 1536 (kremtohet më 26 tetor). Mendohet se atë kishte si burim Nikodhimi, i cili e referon brenda biografisë së shën Nifonit. Këtë vetëm e supozojmë, sepse teksti origjinal i Gavrilit humbi dhe dorëshkrimi më i vjetër që na ka ardhur, konsiderohet se është një përkthim në rumanisht, në vitin 1682.
Shenjtori lindi në More (Peloponez, që banohet edhe nga arvanitas) të Greqisë. Prindërit e tij, Manueli dhe Maria, aristokratë e shpresëtarë, e pagëzuan me emrin Nikolla.
Pasi u ushtrua për një kohë si asket i vetmuar, dëgjoi për famën e Zaharisë nga Mali i Shenjtë, mësues i virtytshëm, që ndodhej në qytetin Nardha dhe u bë bindësi i tij atje. Vetëm Florini Marinesku Nardhën e quan Arta…
Ishte koha kur u mblodh Sinodi i Firences (1439), për bashkimin e Katolicizmit dhe të Orthodhoksisë, që u imponua nga Perandori bizantin Joan VIII Paleologu (1425 – 1448), i cili shpresonte për ndihmë politike dhe sidomos ushtarake nga Perëndimi kundër otomanëve. Por, populli orthodhoks nuk e pranoi Sinodin. Ai e konsideroi të rremë (dhe e quan “pseudosinod”), duke thënë se nuk bëhej fjalë për bashkim, por për nënshtrimin e Orthodhoksisë.
Më poshtë, thuhet se më pas erdhën në “Trojë (në vend të “Krojë”, “Krujë”) dhe pushtetari i vendit, Gjergj Skënderbeu (sic), i pranoi ata në çdo nder dhe shpresëtari, sepse edhe më parë kishte dëgjuar për famën e tyre. Pasi i mirëpriti me gëzim të madh, i mbajti pranë vetes në pallatin e tij mbretëror, ndërsa Zaharinë tepër të urtë e bëri atin e tij shpirtëror “.
Kjo është një dëshmi e qartë se Gjergj Kastrioti ishte orthodhoks, ndryshe nuk kishte si ta bënte Zaharinë atin e tij shpirtëror, rrëfyesin e tij. Dhe as Zaharia nuk do të mund të pranonte në asnjë mënyrë të kishte si fëmijë shpirtëror në misterin e rrëfimit një joorthodhoks. Madje, duke pasur parasysh mospranimin nga ana e dy murgjve të Sinodit të Firences, vështirë se do të pranonin të qëndronin pranë një sundimtari romanokatolik. Do të ishin në kundërshtim me veten e tyre, pikërisht ata për këtë arsye ishin shpërngulur dhe udhëtonin për të predikuar qëndrueshmërinë në Orthodhoksi. Nga ana tjetër, a do mundej një mbret të priste, madje “në çdo nder’ dhe shpresëtari”, ata që kundërshtonin besimin e tij?
Duket se nuk qëndruan shumë vjet në Krujë, sepse ra Konstandinopoja (1453) dhe pasoi një periudhë paqëndrueshmërie, e mbushur me trazira dhe ata u fshehën në një mal (pas vdekjes së Skënderbeut?!).
Pastaj shkuan në Ohër, ku Zaharia u bë kryeprifti i tij, ndërsa shën Nifoni, pasi i mori bekimin, shkoi në Malin e Shenjtë, ku tashmë e kishte paraprirë fama e tij….
…U ftua në Konstandinopojë dhe mori pjesë në një sinod (1483/1484), ku nënshkroi së bashku me të tjerët shfuqizimin e vendimit të Sinodit të Firences. Atje takoi jerontin e tij, Zaharinë, i cili pas pak vdiq. Kur fjeti edhe patriarku, ishte Nifoni që u zgjodh në fronin e parë (1486 ose sipas të tjerëve 1482).