EmailFacebookKontakt

Ndërroi jetë z. Ilia Zaka

Më 18 dhjetor ndërroi jetë z. Ilia Mihal Zaka, mësues i merituar, bashkëshort dhe prind shembullor, besimtar i devotshëm, sekretar gjatë shumë viteve në Këshillin Kishtar të Beratit si dhe bashkëpunëtor i palodhur i Mitropolitit Ignat.

Lindi më 30.04.1938. I ati, me origjinë nga Vlora, ushtronte profesionin e farmacistit. E ëma, me origjinë nga lagjja Goricë e Beratit, punoi si mësuese e shkollës fillore, e diplomuar në vitin 1928 në shkollën Normale të Korçës.

Ilia Zaka shkollën fillore, 7-vjeçare dhe të mesmen pedagogjike i kreu në Berat. Nga viti 1955 deri në vitin 1961 kreu studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Gjuhë – Letërsi, në degën Gjuhë – Letërsi Ruse.

Që nga viti 1961 e deri sa doli në pension në vitin 1993, ka dhënë lëndën e gjuhës ruse dhe të gjuhës franceze në shkollat e mesme të Beratit. Ka botuar tekstin “Gjuha Ruse” për klasën e tretë të shkollës së mesme. Ka pasur rezultate të larta në mësimdhënie, ka shkruar shumë artikuj pedagogjike. Në vitin 1989 iu dha titulli “Mësues i merituar”.

Ne prill të vitit u zgjodh Sekretar i Këshillit Kishtar të Beratit dhe njëkohësisht edhe Sekretar i Këshillit Kishtar të Dioqezës sonë.

Më 21.03.1993, në Kuvendin Kleriko-Laik të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, detyrë të cilën e vazhdoi deri në vitin 2006.

Ka kontribuar në mbarëvajtjen e problemeve të Kishës sonë. Ka botuar shumë shkrime në gazetën “Ngjallja”. Në vitet 2000 – 2007 përktheu nga gjuha ruse tre libra kishtarë me tituj: “Ditë pas dite”, “Çudirat e Shën Joan Rusit” dhe “Jerond Serafimi i Sarovit”. Ka shkruar edhe librat “Kisha e Shën Spiridhonit dhe “Veprimtaritë kishtare në Berat. Historiku 1990 – 2008”.

Ka zhvilluar një veprimtari aktive të vazhdueshme në formulimin dhe korrektimin e shkrimeve kishtare pranë stafit të Mitropolitit të Beratit, Imzot Ignatit.

I shprehim ngushëllimet tona të përzemërta, bashkëshortes dhe fëmijëve. Perëndia e ndjehtë shpirtin e tij dhe e vendostë në tendat e të drejtëve!