EmailFacebookKontakt

Ndërroi jetë psalti Jorgji (Xhoxhi) Doçi

Më 1 dhjetor 2021 ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare Xhoxhi (Jorgji) Doçi, psalti i kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë. Ai ishte shtruar në një spital të Austrisë, si pasojë e infektimit me covid-19 dhe komplikacioneve që pasuan.

Xhoxhi (Jorgji) Doçi lindi në Tiranë, më 26 shkurt të vitit 1946. Ishte i biri i saqellar stavrofor atë Petro Doçit, nga lagjja “Kala” e Elbasanit, një nga klerikët e dalluar të kryeqytetit, që ndërroi jetë para rifitimit të lirisë së besimit. Atë Petroja kishte 2 djem dhe kishte ardhur në Tiranë në vitin 1939, duke u bërë kryedhjakon i Kryepiskopit Kristofor Kissi. Përkushtimin e tij të veçantë te Perëdia ai u kaloi edhe të bijve. Që i vogël Xhoxhi shërbente në kishë, duke shkuar gjithmonë pas të atit. Pas shkollës së mesme, si djalë prifti, nuk mundi të ndiqte shkollën e lartë dhe u fut në punë. Dallohej për zërin e bukur dhe aftësitë muzikore, ndaj u bë pjesë e Ansamblit të Ushtrisë, ndërsa në vitin 1971 e morën në korin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku punoi derisa doli në pension.

Xhoxhi e kishte ruajtur gjithnjë zjarrin e besimit dhe traditën orthodhokse të familjes, ndaj menjëherë, pas lirisë së besimit, u afrua me entuziazëm në Kishë dhe kontribuoi si psalt dhe në koret që u ngritën. Më 31 mars 1991, bashkë me Dhimitër Bedulin dhe Koço Fështin, psali në Liturgjinë e parë në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë.

Më 17 korrik 1991 ai priti me shumë gëzim dhe psali në vizitën e parë të Kryepiskopit Anastas në kishën e Ungjillëzimit. Në vitet e para i shërbeu si psalt Fortlumturisë së Tij në meshat që bëheshin anembanë vendit. Xhoxhi mori pjesë në korin e ringritur të Kishës, drejtuar në fillim nga dirigjenti Eno Koço dhe nga viti 1993 e në vazhdim, edhe në Korin Bizantin të Kishës.

Shërbesa e varrimit u krye në datën 4 dhjetor 2021, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, ku ai kontribuoi për 30 vjet. Ajo u krye nga Hirësi Asti dhe klerikë të kishës, në prani të Kryepiskopit Anastas, Hirësi Andonit dhe Hirësi Nathanailit.

Kryepiskopi Anastas tha ndër të tjera në fund të shërbesës: “Përshëndesim një njeri të mrekullueshëm, bashkëpunëtor të zgjedhur, një bashkëpunëtor shumë të vyer më Zotin, i cili për 30 vjet mori pjesë në gjithë ecurinë e Kishës sonë… Kjo humbje nuk është e rëndë vetëm për familjen, por një humbje e rëndë dhe për të gjithë ne, për mbarë Kishën tonë. Jorgji ynë i shtrenjtë ishte njeri i ndjeshëm, kujtoj kur erdha këtu për herë të parë në këtë vend. Ishte njeriu i cili përfaqësonte në mënyrën më të mirë popullin e Perëndisë këtu në kishë, duke psalur dhe duke marrë pjesë me gjithë zemër në të gjitha meshat dhe shërbesat e tjera që kryenim. Dhe mendoj se përfaqësonte më së miri Kishën tonë kudo ku ai ndodhej, me anë të karakterit të tij shumë të vyer, me mirësinë e tij që i buronte prej zemrës në mënyrë të natyrshme, me sjelljen e tij që mbartte mjaft gëzim, me mirëkuptimin e përulur që ai kishte për njerëzit e tjerë, për dijet e tij në lëmin e muzikës dhe për gjithë zellin që ai shfaqte në çdo vend që gjendej e shkonte dhe zelli i tij ishte gjithmonë për të qënë aty ku kishin nevojë për të, me shumë thjeshtësi e me shumë mirësi..”