Më 23 mars 2021, në qytetin e Korçës, ndërroi jetë në moshën 102-vjeçare besimtari orthodhoks Ilia Nençe. Ai njihej nga të gjithë për pasionin për besimin dhe për natyrën. Që në çastet e para ndihmoi Kishën me entuziazmin që e karakterizonte, që nga ringritja e kishëzave në majë të malit e deri te shpërndarja e gazetës “Ngjallja”, me të cilën edhe bashkëpunonte. Gazeta nuk ka pasur kurrë një shpërndarës më të përkushtuar se xha Ilua. Ai e çonte atë dyqan më dyqan e zyrë më zyrë, kudo ku kishte orthodhoksë, pa u lodhur derisa mosha e pengoi ta vazhdonte. Me pasion ai i përkushtohej edhe detyrës së psaltit në kishat e ndryshme e veçanërisht në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Ai merrte pjesë në veprimtaritë e asambletë kishtare, pa ngurruar të thoshte gjithmonë mendimin e tij.
Ilia fliste gjithmonë me pasion për çdo gjë që kishte lidhje me Kishën e veçanërisht kujtonte mbledhjen e ikonave në rrethin e Korçës me profesor Theofan Popën, pas prishjes së kishave.
Ilia Nençe do t’u mungojë të afërmve, por edhe komunitetit të besimtarëve orthodhoksë të Mitropolisë së Korçës e më gjerë. Perëndia ta prehë në të djathtën e Tij!