EmailFacebookKontakt

Ndërroi jetë At Spiro Veli

Më 23 prill ndërroi jetë At Spiro Veli, i cili i shërbente me devotshmëri komunitetit orthodhoks të Elbasanit.

At Spiro u lind në Erind të Gjirokastrës në vitin 1914. Pasi kreu Seminarin Teologjik në Tiranë, u caktua si mësues feje në Durrës. Po në Durrës u dorëzua prift dhe shërbeu në kishën e Shën Spiridhonit.

Mbas luftës për disa kohë u caktua si zëvendës i përgjithshëm episkopal i Dioqezës së Beratit. Më vonë transferohet në Elbasan, si famulltar i Kishës “Fjetja e Hyjlindëses”, ku shërbeu deri në mbylljen e kishave më 1967.

Me rihapjen e kishave dhe rifitimin e lirisë së besimit më 1991, At Spiro, megjithëse në moshë të shkuar iu kthye me përkushtim shërbimit në kishë, duke ia transmetuar edhe më të rinjve përvojën e tij të gjatë në shërbim të Perëndisë, deri sa ndërroi jetë. Ai ishte caktuar që në fillim edhe anëtar i Këshillit të përgjithshëm fetar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Me Ndërrimin jetë të At Spiros, familja humbi njeriun e dashur dhe Kisha një klerik të përkushtuar e të përgatitur të saj. Zoti ia prehtë shpirtin në krahun e Tij. I përjetshëm qoftë kujtimi.