EmailFacebookKontakt

Ndërroi jetë At Nikolla Mici

Pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 100 vjeçare, fjeti At Nikolla Mici, nga fshati Sopik i Sarandës.

At Nikolla u lind në një familje me tradita të pasura dhe përpjekje për besimin orthodhoks. Fillimisht At Nikolla u arsimua për mësuesi dhe punoi për një kohë të gjatë arsimtar në fshatrat e krahinës së Livadhjasë. Më vonë, në vitin 1947, duke parë dhe vështirësitë që kalonte besimi në atë periudhë, u hirotonis, duke u bërë një klerik i devotshëm për të gjithë zonën ku jetonte.

Megjithë përndjekjet e ashpra dhe ndalimit të besimit në vitin 1967, At Nikolla nuk rreshti së foluri për besimin, por edhe ushtroi në fshehtësi rite dhe shërbesa të shenjta. Në vitin 1978, në kishën e “Shën Athanasit” të Sopikut, me hirin e Perëndisë, mori guximin dhe organizoi shërbesën e Ngjalljes me besimtarët më të devotshëm të fshatit. Mirëpo, kjo gjë arriti në veshët e organeve të Sigurimit dhe u bë shkak i përndjekjeve të ashpra për të dhe familjen e tij.

Por, Perëndia e hirshme i dha mundësitë që të meshojë përsëri pas vitit 1990, megjithë moshën tepër të shkuar dhe të komunikojë me besimtarët, të cilët kishin respekt të veçantë.

Me fjetjen e At Nikollës, familja humbi njeriun e dashur dhe Kisha humbi një klerik të devotshëm e të përkushtuar Perëndisë në të gjithë jetën e tij. Zoti ia prehtë shpirtin në krahun e Tij.