Në praninë e shumë personaliteteve të arteve të bukura, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, vlerësoi një prej piktorëve ikonografë dhe mozaicistëve më të talentuar, të paharruarin Josif Droboniku. Titulli iu akordua, pas kërkesës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nëpërmjet një letre të drejtuar Presidencës nga Kryepiskopi Anastas.
Krijimtaria e tij e pasur artistike, veprat e papërsëritshme monumentale, mozaikët dhe afresket, nga fasada e Muzeut Historik dhe Katedralja Orthodhokse në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, Shkup dhe deri në trevat arbëreshe, flasin për talentin e jashtëzakonshëm, pasionin dhe përkushtimin e tij për artin shqiptar.
Me mirënjohje për aftësitë e rralla krijuese shumëplanëshe, si dhe për kontributet e vyera në fushën e pikturës, veçanërisht në ringjalljen e artit tradicional monumental kishtar, Presidenti i akordoi z. Josif Drobonikut, Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” (pas vdekjes).
Z. Josif Droboniku njihet si një nga piktorët dhe mozaicistët më të talentuar dhe mjaft të përkushtuar në artet e bukura të vendit tonë, përkrah mësuesve të mëdhenj të këtyre arteve në Shqipëri.
Nga viti 2010 e në vazhdim, ai njihet veçanërisht edhe për realizimin e mozaikëve në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në Tiranë. Për një periudhë 10-vjeçare (2010-2020) z. Josif Droboniku punoi me shumë besim e përkushtim, duke kryer punë mjaft voluminoze në mozaikë prej rreth 1200 m2, punë mjeshtërore e artistike, ku edhe shprehu të gjithë përvojën, talentin dhe stilin e tij të veçantë. Këtu ai ideoi dhe realizoi mozaikun e kupolës (700m2) me temë “Krishti i Gjithëpushtetshëm (Pantokrator)”, mozaikët e Hierores (mbi 300m2) me tema të ndryshme “E Tërëshenjta më e gjerë se qiejt (Platitera)”, “Urdhëresat e fundit të Krishtit”, “Lindja e Krishtit”, “Për në Emaus”, “Ngjitja e Krishtit në qiej”, si edhe mozaikë të tjerë (200m2) në pjesë të ndryshme të katedrales si “Krishti në prehje”, dhe dekoracione në 4 harqet e mëdha të saj.
Z. Josif Droboniku shprehu aftësinë krijuese të veprave monumentale në teknikën e veçantë e të çmuar të mozaikut, lidhur ngushtë kjo me interpretimin e vlerave shpirtërore të krishtera, në një gjuhë të lashtë e historike por edhe bashkëkohore. Kjo aftësi reflekton zellin, ndjeshmërinë dhe përvojën profesionale artistike të z. Josif në fushën e ikonografisë dhe më gjerë të artit monumental.
Në veçanti, realizimi i këtyre punëve në mozaikë në Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, janë zgjidhje të reja kompozicionale, ku përshtatja me arkitekturën janë në harmoni të plotë. Këto zgjidhje të fuqishme në sipërfaqet me përmasa sfiduese të katedrales, përcjellin me emocion mesazhe të spiritualitetit, forcës dhe dashurisë hyjnore për njerëzimin dhe çdo njeri në veçanti.
Asnjëherë nuk i mungoi ndjeshmëria dhe sensi i madh i përgjegjësisë në punën e palodhur për organizimin e realizimit në kohë dhe mbarëvajtjen e punimeve për një sipërfaqe kaq të madhe prej 1200 m2.
Mbështetur në punën e tij krijuese, shpirtërore dhe artistike, të realizimit konkret në Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, vlerësojmë maksimalisht punën dhe krijimtarinë e tij artistike, që është vlerë e madhe jo vetëm për artin dhe kulturën kishtare orthodhokse por edhe për fushën e artit të mozaikut në Shqipëri.
Po kështu, e vlerësojmë dhe për karakteristikat që e shquanin si: ofrues të dashurisë dhe dijeve, besimtar të mirë e të përshpirtshëm, njeri të butë e të dashur me të gjithë dhe gjithmonë me ndjenjë përulësie e plot bashkëpunim për ide dhe krijime monumentale.
Së fundi shtojmë se z. Josif Droboniku, me talentin, punën dhe frymën e tij krijuese e artistike i ka ofruar vendit tonë një sërë punimesh personale dhe në grup, të cilat janë të njohura për artdashësit e pikturës, ikonografisë dhe mozaikut, si në realizimin e mozaikëve: “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Kombëtar në Tiranë, në fasadën e Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit të Tiranës, në Itali kryesisht në Italinë e Jugut në disa kisha të komunitetit arbëresh, në fasadën e sheshit “Skënderbeg” në Shkup të Maqedonisë së Veriut etj. Për punët e tij ai është vlerësuar edhe me çmime si “Naim Frashëri” në fushën e mozaikut, atë të grafikës në festivalin e filmit artistik shqiptar, si edhe “Maestro Artigiano” të Artizanatit Artistik të Kalabrisë.
[Dekreti Nr. 13613, Tiranë, më 10.05.2022]
REPUBLIKA E SHQIPËRISË – PRESIDENTI I REPUBLIKËS
JOSIF DROBONIKUT (PAS VDEKJES) TITULLIN “MJESHTËR I MADH”
“Në vlerësim të kontributeve të rralla dhënë në artin e pikturës dhe mozaikut, veçanërisht mozaikut monumental kishtar. Me mirënjohje për aftësitë krijuese shumëplanëshe, talentin, punën dhe frymën e tij artistike, të njohura e të vlerësuara nga artdashësit brenda dhe jashtë vendit, sidomos në trevat e banuara nga arbëreshët”.