Në trevjetorin e fjetjes
Nderim e respekt për kujtimin dhe punën e tyre
Tre vjet më parë u ndanë nga jeta dy klerikë të nderuar të Kishës sonë. Më 27 mars 2000, ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare kryedhjakoni Sotir Kanxheri, ndërsa në datën 4 prill humbi jetën në një aksident tragjik At Sotir Xhaferri, priftëresha e tij Marjana dhe njëri nga dy djemtë e tyre.
Shtrëngimi që na pushtoi zemrën në ato ditë të hidhura është i njëjtë edhe sot. Sepse humbëm njerëz shumë të dashur, të përkushtuar për kishën dhe me besim të thellë tek Perëndia.
Kryedhjakoni Sotir Kanxheri, megjithë moshën e thyer dhe gjendjen shëndetësore, dha ndihmesën e tij të çmuar që në çastet e para të rihapjes së Kishës. Për të gjithë besimtarët ai do mbetet i pahairuar me zërin melodioz dhe gatishmërinë e përhershme ndaj kujtdo, që i kërkonte ndihmë. Por, sidomos, ai u bë një ndihmës shumë i afërt i Kryepiskopit Anastas në veprën e ringritjes së Kishës nga gërmadhat. Si një dëshmitar i drejtpërdrejtë, kryedhjakon Sotir Kanxheri dha në këto vite një kontribut të paçmuar në njohjen e gati 60 vjetëve historie të Kishës sonë, por edhe me përvojën e tij edhe për ringritjen e sistemit financiar dhe të administrimit të pasurive të saj.
Një dhembje e madhe mbetet ende humbja tragjike e At Sotirit dhe familjes së tij. Si një nga klerikët e parë të hirotonisur nga Fortlumturia e Tij, ai jo vetëm shërbeu me devocion në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, por u dallua edhe për realizimin e rubrikave fetare në RTV Shtetëror, si pjesëtar i korit bizantin të Kishës etj. Në çdo çast ai kishte pranë edhe dashurinë dhe mbështetjen e bashkëshortes së tij, bashkë me të cilën edukuan dy fëmijë shembullorë. Priftëresha Marjana dallohej për kontributin që jepte në Grupin e grave orthodhokse, për të ndihmuar njerëzit më të pafavorizuar nga jeta.
Sot, përveç dhembjes dhe ngushëllimit për familjet e tyre, shprehim edhe respektin më të thellë për veprën e tyre në Kishë dhe sigurinë se nuk do të harrohen nga ne, por në radhë të parë nga Perëndia, i Cili i thirri pranë Tij.