Fortlumturisë së Tij Aleksi II
Patriark i Tërëshenjtë i Moskës dhe i gjithë Rusisë
Fortlumturia Juaj,
I shumëdashur vëlla dhe bashkëcelebrues me Krishtin, Perëndinë tonë,
Dje u ktheva në Tiranë pas një sërë udhëtimesh nëpër Evropë dhe në këtë çast dua t’ju shpreh keqardhjen më të thellë dhe mbështetjen time të plotë personale, të Sinodit të Shenjtë dhe të popullit Orthodhoks të Shqipërisë, pas hekatombave të tmerrshme që ndodhën në shkollën e Beslanit, në Oseti. Pamjet e fëmijëve të pafajshëm që përpiqeshin të shpëtonin nga sulmi i llahtarshëm i terroristëve mizorë kanë trazuar shpirtrat e njerëzve kudo në botë. Ne ndajmë plotësisht me ju vuajtjen tuaj atërore dhe dhembjen e madhe të popullit shumë të nderuar të Rusisë.
Me gjithë zemër i lutemi Perëndisë t’i japë Fortlumturisë Tuaj ndriçimin dhe forcën e Shpirtit të Shenjtë, Ngushëlluesit, duke ju bërë të aftë në këtë çast kritik për të ngushëlluar dhe mbështetur vëllezërit dhe motrat e Rusisë dhe të bekojë përpjekjet tuaja për një shoqëri të sigurt dhe me paqe.
Duke ju përqafuar me shumë dashuri shumë i dashur Fortlumturi, mbetem gjithmonë juaji,
+Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
Tiranë, më 9 shtator, 2004