EmailFacebookKontakt

Ndajeni besimin me të tjerët

Në fund të muajit qershor një grup studentësh të seminarit teologjik në Boston të SHBA, organizuan një vizitë 5-javore në Greqi. Nga këta 17 studentë amerikanë, njëri prej tyre Akili Karathanos, erdhi për tri ditë në Shqipëri, pasi kishte dëgjuar për lulëzimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në 12 vitet e fundit. I shoqëruar nga At Luka Veronis, ai mori pjesë në një takim me studentët e Qytetit Studenti në Tiranë dhe diskutoi me ta për disa çështje të rëndësishme të besimit tonë. Në bisedën e mëposhtme, Akili sjell përvojën e tij si student i një prej seminareve më të famshëm teologjik në botë, si dhe tregon eksperiencën e tij të parë gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Si ju lindi ideja për të ardhur në Shqipëri?

Kisha dëgjuar edhe më parë për përparimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri dhe kam pasur dëshirë ta vizitoja nga afër vendin tuaj. Bashkë me disa studentë të tjerë të seminarit të Bostonit për pesë javë rresht do të qëndrojmë në Greqi. Unë shfrytëzova këtë rast për të ardhur dhe për të qëndruar disa ditë në Shqipëri.

Disa nga miqtë e mi ishin shumë të shqetësuar para se të vija këtu. Më sugjeruan të gjeja një shoqërues shqiptar, por unë vendosa të vija vetëm. Ekzistojnë shumë paragjykime, por nga eksperienca e parë që kam nga kontaktet me njerëzit kam krijuar përshtypje shumë të mira për shqiptarët. Kam konstatuar se edhe pse orthodhoksia është në hapat e para të lulëzimit të saj, fakti i të qenit i ri të jep energji.

Çfarë bëni në seminarin e Bostonit?

Kam një vit që studioj në këtë shkollë. Ndjek bashkë me studentët e tjerë të gjitha shërbesat në seminar. Kemi tri ose katër orë shkollë në ditë dhe mendoj se disa nga pjesët më të rëndësishme janë shërbesat praktike. Për shembull, seminaristët e vitit të dytë iu shërbejnë të rinjve. Seminaristët e vitit të tretë vizitojnë në spitale të sëmurët për t’i ngushëlluar ata dhe luten për ta duke u përpjekur për të qenë sa më pranë tyre. Studentët e vitit të katërt merren me studentët e shkollave të larta dhe vizitojnë të burgosurit. Gjithashtu ata iu përgjigjen njerëzve nëpërmjet internetit në lidhje me shumë çështje të besimit.

A do të pranonit të bëheshit misionar në Shqipëri?

Me shumë gëzim. Unë do të doja të vija këtu me gjithë familjen time pasi të kaloja një formim të plotë në disa trajnime. Por sigurisht, n.q.s. do të vija do të isha thjesht ndihmës, sepse e di që Kisha Orthodhokse e Shqipërisë ka përparuar shumë.

Çfarë mesazhi keni për të rinjtë orthodhoksë shqiptarë?

Besimi juaj do të ketë një influencë shumë të madhe tek njerëzit sepse është diçka me të cilën ata nuk janë mësuar, është diçka e re dhe e vërtetë për të cilën ata janë të uritur. Ndajeni këtë besim me të tjerët.

Bisedoi I. Koti