Nga atë Haralampos Papadopoulos
Ndaje të keqen që të errëson shpirtin me të tjerët. Fol, edhe sikur të të duhet të flasësh me erën, siç thoshte Grigor Theologu, ky shenjt i ndjeshëm e i brishtë. Ai e dinte mirë se çdo të thotë vetmi dhe dhimbje.
Kur vuajmë, kur mendimet na e mbushin shpirtin me trishtim, frikë dhe pështjellim, atëherë ndiejmë një vetmi të pafund. “A thua të jem vetëm unë në këtë gjendje? Kujt t’ia them atë që ndiej? Do të më marrin, thua, për të çmendur apo për të sëmurë?”. Arrijmë deri në atë pikë se më tepër vuajmë për shkak të këtyre mendimeve sesa për shkak të vetë problemit.
Për këtë arsye, ata që kanë vuajtur që në vogëli, ata që janë munduar për vite me radhë, kanë fituar një nuhatje ekzistenciale të paimagjinueshme, saqë arrijnë ta nuhasin prej së largu atë që vuan, në mënyrë që të çlirohen prej vetmisë së të qenit të “stigmatizuar”, të “mallkuar” apo të “mjerë”. Dhe, sapo gjejnë atë që vuan njëlloj si ata, gëzohen. Brenda tyre shpërthen një gëzim i pabesueshëm. Dhe kjo u ndodh jo për shkak se tjetri vuan, por ngaqë kuptojnë se nuk janë të vetëm në këtë Golgotë.
Ti ke dëshirë të dish që diku ndodhet qoftë edhe një person që e kupton se çfarë po heq, se si po ndihesh, se çfarë po të ndodh. Si rrjedhim, dhimbja të pakësohet, thuajse zvogëlohet fare, sepse ajo lehtësohet kur ndahet me të tjerët. Ajo që ndahet me të tjerët, shenjtërohet..
Shqipëroi Stefan Zhupa