Natën e Krishtlindjes ishim në një shpellë,
një shpellë shumë të madhe, një shpellë shumë të thellë.
Një zjarr kishim ndezur, muret flakëronte,
qiriu i ndezur, një ikonë ndriçonte.
Pamja e ikonës lehtë e ndriçuar,
pamja e mureve gjysmë flakëruar;
Më ngjallnin një mall, mall plot vaj,
mall nga i cili lotët s’mund dot t’i mbaj.
Një mister i ëmbël shpirtin ma rrethonte,
në krah ma merrte, larg atë ma çonte.
Brenda meje thellë, diçka ishte zgjuar,
një mall shumë i vjetër, mall i harruar.
Ky mall i ëmbël shumë më gëzonte,
ma dehte shpirtin, me të fluturonte.
Fluturonin bashkë në një kohë tjetër,
brenda më ish’ ngjallur Edeni i vjetër.
Ikona, qiriri, dritë e tij e zbehtë,
shpella shumë e madhe, por dhe shumë e qetë;
E humbisnin kohën, kohë s’kishte më,
të gjitha kohërat ishin shkrirë në një.
Ikona ish përballë, qiriri e ndriçonte,
një botë jo prej dheu ajo më tregonte:
Aty ish’ Shën Mëria, në krah mbante Zotin,
vaji lëvizte brenda, s’e mbaja dot lotin.
Ngjyrat e ikonës, portretet e perëndishme,
zbulonin para meje një botë të magjishme.
S’kishte gjë prej mishi, aty ish’ Hyjnia,
një tjetër univers, zbuluar nga Dashuria.
Shikimi në të zhytej e fund s’gjente dot,
isha si i dehur ng’ajo e magjishme botë.
Sikur s’qeshë më unë, me to isha shkrirë,
Një flakë e tjetër bote, shpirtin kish’ përpirë.
S’ndjeja me kohën, as vendin se ku isha,
zjarrin e vjetër në gji të ndezur kisha.
Shpirti lutej vetë, unë i ulur rrija,
në buzë ndieja shpesh shijen e lotëve të mia.
Pamja e ikonës me vete më kish’ marrë,
shpirti si i dehur, sytë duke qarë.
Dhe ndonëse në tjetër botë isha rrëmbyer,
shpesh merrja dru, zjarrin për të ushqyer.
Pastaj rrija ulur e zjarrin shikoja,
gjëra të çuditshme brenda tij vështroja.
Ushtri të magjishme mbi kuaj të zjarrtë,
drutë bubullonin, shkëndija hidhnin lart.
Gjuhët e zjarrit si shpata përrallore,
krijonin para meje një pamje hyjnore.
Një botë të përflaktë, një botë plot fantazi,
një botë të humbur që e kam brenda në gji.
Dhe në shpirtin tim ish’ ndezur një zjarr,
më ndriçonte vende që kurrë s’i kisha parë.
Një paqe e thellë kudo mbretëronte,
një vaj i ëmbël sipas saj lundronte.
Në atë vend magjepës ku shpirti kish’ shkuar
me mijëra shpirtra ai kish takuar;
Me ta ishte shkrirë, me ta ish’ bashkuar,
një tjetër njeri unë isha shndërruar.
Paska një vend pa hapësirë e kohë,
vend që un’ e ndiej, ndonëse s’e njoh;
vend ku s’ka ndarje, të gjithë bashkë janë,
në atë çast magjik të gjithë i kisha pranë.
Aty ishin patriarkët, profetët, mbretërit e shenjtë,
murgjërit, martirët, shenjtët në çdo kohë e vend.
Aty ish’ Joani, Shën Gjergji, Elia, Parsifali,
Të gjithë brenda meje rethuar nga malli.
Zjarrin e vështroja e thellë isha i bindur,
se në zemrën time Zoti kishte lindur.
Në atë natë të shenjtë, atë natë të bekuar,
zemra ime e vogël, Në Betlehem ishte shndërruar.
Marrë nga libri: “Malli i Parajsës”