EmailFacebookKontakt

Muzika bizantine ka qenë dhe është pjesë përbërëse e konstitucionit shpirtëror

“1 tetori, data që bashkon Joan Kukuzelin, muzikën bizantine dhe Ditën Ndërkombëtare të Muzikës Klasike”

Data 1 tetor përbashkon emrin dhe trashëgiminë e madhe muzikore të Jan (Ioan) Kukuzelit, muziktarit tonë të shquar të muzikës bizantine të shek. XIII dhe “Ditën Ndërkombëtare të Muzikës Klasike”, një festë e re kjo e propozuar nga violinisti i shquar Lord Menuhin dhe e pranuar nga UNESCO si e tillë në vitin 1975, me qëllim kryesor promovimin e artit të muzikës në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe zbatimin e synimeve të UNESCO-s për promovimin e paqes dhe miqësisë midis popujve.

Vendi ynë dhe muzika jonë është me fat që ka një pararendës kaq të shquar si Kukuzeli, për të cilin sot mbahet meshë në të gjitha kishat e vendit, kontributi i të cilit në muzikën bizantine është tërësisht i njohur dhe i gjithëpranuar. E jo vetëm kaq. Muzika bizantine, ky art sublim që zë fill 2000 vjet më parë, prej vitit 2019, me propozim të Greqisë dhe Qipros, është tashmë pjesë e listës përfaqësuese të dukurive shpirtërore të UNESCO-s.

Në tekstin përshkrues të regjistrimit të muzikës bizantine si pjesë e kësaj liste, pohohet se: si një art jetik, që ka ekzistuar për më shumë se 2000 vjet, këndimi bizantin është një traditë kulturore e rëndësishme, dhe një sistem muzikor gjithëpërfshirës, i cili bën pjesë në traditat muzikore të zhvilluara në Perandorinë Bizantine.

Duke i vënë në pah dhe duke i lartësuar nga ana muzikore tekstet liturgjike të Kishës Orthodhokse, bën që ato të jenë të lidhura fort me jetën shpirtërore dhe adhurimin fetar, duke shërbyer për të përhapur mesazhin e shenjtë. E përcjellë gojarisht ndër breza me radhë, karakteristikat kryesore të tij kanë mbijetuar ndër shekuj: është muzikë ekskluzivisht vokale; në thelb është monofonike; këngët janë të kodifikuara në një sistem tetë-mënyrash ose tetë-tonesh; këndimi përdor stile të ndryshme ritmike, për të theksuar rrokjet e caktuara të fjalëve të veçanta etj.

Vendi ynë bën pjesë në grupimin e vendeve ku muzika bizantine ka qenë dhe është pjesë përbërëse e konstitucionit shpirtëror të orthodhoksit shqiptar. Dihet se predikimi i Ungjillit të krishterë në anët tona zë fill kur Apostull Pavli, në letrën dërguar romakëve (15:19), thotë: “… Kam predikuar me sukses Ungjillin e Krishtit kudo, që nga Jerusalemi e përreth e deri në Iliri”.

Nuk është çudi që shumë nga termat kishtarë në gjuhën shqipe rrjedhin nga latinishtja, ndër to edhe meshë nga missam, shenjt nga sanctum, kryq nga cruecem, kjo, pasi ish-territori i Shqipërisë së sotme ishte nën juridiksionin e papëve deri në vitin 732 pas Krishtit, kohë kur perandori i Bizantit, Leone III Isauriani, e shkëputi atë nga Roma dhe ia kaloi Perandorisë Bizantine. Duke bërë fjalë për predikimin e Ungjillit në territoret ku shtrihet Shqipëria e sotme, sot janë të qarta rolet që kanë luajtur ndër vite institucioni i anagnostit, i cili lexonte tekstet e shenjta dhe padyshim, roli parësor që ka pasur dhe ka në kishë institucioni i psaltit, i cili është “instrumenti” perfekt për ruajtjen dhe transmetimin e kësaj tradite të njohur ndërkombëtarisht.

Muzika kishtare lartëson të shenjtën që lidhet me Zotin dhe me mësimet e Tij. Si e tillë, që në krijim ajo ruan një qartësi mendimi dhe forcë emocionale të pakrahasueshme. Ajo, përveçse çmohet për vlerën e saj artistike, përmendet edhe në tekstin e shenjtë të Biblës, si në rastin e Psalmit 150 që thotë: “Lavdërojeni Perëndinë me zë trumbete, me psaltir dhe me kitarë, me timpan dhe valle, me korda dhe instrumente, me cimbale tingëlluese dhe me cimbale brohoritjeje”.

“PSALJA”, si arti i këndimit dhe lavdërimit të Zotit, sipas shën Efrem Sirianit (306-373) “afron (tërheq) ndihmën e engjëjve, është një armë për tmerret e natës, çlodhje nga mundimet e ditës, siguri për foshnjat, stoli për jerondët, ngushëllim për të moshuarit, një zbukurim i përshtatshëm për gratë, alfabet për fillestarët, rritje për ata që përparojnë, mbështetje për ata që përparojnë në përsosmëri, zëri i Kishës. Psalja ndriçon të kremtet, shkakton pikëllim, i cili është në përputhje me vullnetin e Zotit, sepse ajo provokon lot edhe nga një zemër prej guri. Psalja është vepër e engjëjve, gjendje qiellore, temjan shpirtëror. Psalja është ndriçimi i shpirtrave, shenjtërimi i trupave”.

Ne kemi një shprehje të urtë popullore që thotë: “Kënga dhe përralla s’kanë zot”. Besoj se kuptimi i saj i vërtetë gjendet në mënyrën se si një krijim muzikor krijohet, pra, përmes një procesi artistik të gjatë e të vështirë, i cili përfshin përveç zanafillës edhe qindra e mijëra njerëz, përgjatë një limiti kohor që shtrihet në dhjetëra e qindra vjet. Ky proces, sa human e njëkohësisht po aq artistik, i pandikuar nga klima dhe sistemet politike, fsheh në thelb krijimin e gjuhës muzikore si mjet komunikimi dhe si kulturë e paqes, pasi vetë muzika bizantine dhe këngët popullore në mënyrë të veçantë, shndërrohen dalëngadalë përmes “gjuhës” së tingujve edhe në simbole kulturore të çmuara për identitetin e popujve dhe vendeve tona. Muzika bizantine nuk u krijua në një vend të vetëm. Pjesët e saj na vijnë nga autorë me kombësi dhe vende të ndryshme, të cilët në mënyra të larmishme kanë gjetur rrugën për të lavdëruar Perëndinë, shpesh duke ndërfutur në tingujt e kësaj muzike traditat muzikore popullore arkaike të vendeve nga vinin.

Pjesë e merituar e kësaj trashëgimie është edhe ajo që vjen nga Shqipëria, nga vendi i Jan Kukuzelit dhe Kristanth Manditit, dy emra të shquar të muzikës bizantine në nivel botëror. Kjo muzikë hyjnore qëndron si një e tërë sot para nesh, e thjeshtë dhe e kapshme, me dhe pa emra konkretë autorësh të përveçëm që i kanë krijuar, pasi “Kënga dhe përralla s’kanë zot”.

Përveç përdorimit në kishë, këndimi bizantin po njihet edhe nga vetë përkushtimi i ekspertëve dhe jo vetëm, ndër ta muzikantë, anëtarë të koreve, kompozitorë, muzikologë dhe studiues, të cilët kontribuojnë në studimin, performancën dhe përhapjen e tij, ashtu siç po bëjmë edhe ne sot përmes këtij aktiviteti. Ajo është sot në listën e dukurive shpirtërore të UNESCO-s, edhe për të provuar se humanizmi ynë artistik është i aftë të krijojë kryevepra të vlefshme për të gjithë njerëzimin.

Unë besoj më shumë në forcën e shpirtit njerëzor sesa në forcën fizike të trupit. Për më tepër, forca e shpirtit e shprehur përmes muzikës është një nga pasuritë e arta që popujt tanë dhe krijuesit e përveçëm, kompozitorët, kanë krijuar në qindra vjet. Sot, në datën e shenjtë të 1 tetorit, gjej rastin e artë që t’i ftoj të gjithë të tjerët për ta përshkruar e njohur muzikën bizantine dhe muzikën klasike, të dyja së bashku, si një korridor shpirtëror unik të komunikimit, i cili nuk është gjë tjetër përveçse: trashëgimi humane në funksion të paqes. Përmes larmisë së kësaj tradite muzikore, vokale e instrumentale, popujt kanë ushqyer dhe ushqejnë diversitetin kulturor si thelb i jetës dhe i humanizmit, kanë ngritur korridoret e komunikimit dhe marrëdhënieve miqësore mes komuniteteve të ndryshme si dhe kanë dialoguar kulturalisht me popujt e tjerë fqinjë, por edhe më gjerë.

Duke përfituar nga prania e Hirësi Nathanailit, Mitropolit i Amantias, përfaqësues i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e zonjës Meri Kumbe, zëvendësministre e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, si dhe e përfaqësuesve të institucioneve shkencore e kulturore të vendit, nisur nga fakti që regjistrimi i këndimit bizantin në UNESCO është realizuar si kandidim multinacional, do t’ju propozoja që së bashku dhe në bashkëpunim me propozuesit e dosjes dhe UNESCO-n, të mundësonim edhe përfshirjen e këndimit bizantin në Shqipëri, si pjesë e këtij regjistrimi. Hapësirat ligjore ekzistojnë. Duhet vullnet dhe angazhim i përbashkët, i cili besoj se nuk na mungon, që edhe tradita e këndimit bizantin në Shqipëri të bëhet pjesë e pandarë e këndimit bizantin në tërësi.

Referat i mbajtur në veprimtarinë për Joan Kukuzelin
Tiranë, 1 tetor 2021