EmailFacebookKontakt

Mungesë sinqeriteti të përgjegjshëm

Rasti më i fundit i një ndërhyrjeje provizore restauruese në kishën e shenjtores Parashqevi, në enorinë e Shën Nifonit dhe Shën Athanasit në Lukovë, përmban në vetvete të gjithë problematikën e mungesës së frymës dashamirëse nga ana e autoriteteve kompetente shtetërore.

Do të ishte më e pakta nëse do të bëhej fjalë për pakujdesi të vogla apo neglizhenca burokratike nga ana e instancave e aq më shumë nga personat përgjegjës. Në të gjitha rastet e viteve të fundit konstatohet diçka edhe më shqetësuese që vë në provë dhe dëshmon nga njëra anë tolerancën maksimale të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, institucioneve të saj dhe komuniteteve lokale me klerikët e tyre dhe, nga ana tjetër, arrogancën shpërfillëse, me tendenca shtimi, të autoriteteve shtetërore.

Dhe konkretisht i referohemi rastit të Lukovës: Një grup punëtorësh shfaqen një ditë dhe pa asnjë njoftim fillestar, pa kërkuar qoftë takim formal me priftin e fshatit dhe Këshillin Kishtar pranë tij, vendosen në kishë dhe fillojnë punime. Punime për të cilat askush nuk është në dijeni. As në procedurat e parashikimit, projektimit dhe miratimit nuk është vënë kurrë në dijeni Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.

Është një rast i stërpërsëritur, prandaj edhe hollësi të çështjes nuk është e nevojshme të jepen sërish. Një sjellje e tillë, më e pakta dëshmon mungesën e sinqeritetit dhe përgjegjshmërisë nga ana e autoriteteve përkatëse, pavarësisht propagandës shurdhuese për të kundërtën.

Në fakt, i gjithë ky mentalitet, praktika dhe sjellja synon të vërë në dyshim të drejtën e pronës, të rikthimit të vendeve të adhurimit pa kushte në komunitetet lokale Orthodhokse dhe kryesisht përdorimin e tyre pa asnjë pengesë në ushtrimin e së drejtës për adhurim të besimtarëve të Kishës Orthodhokse. Ky është një dimension që nga autoritetet kompetente shtetërore ose neglizhohet, duke e konsideruar pa rëndësinë e duhur dhe me injorancë indiferente, ose përbën në fakt qëllimin e gjithë kësaj fushate.

E para, është e vështirë të pranohet, për shkak se nga ana e Kishës Orthodhokse, në të gjitha format e komunikimit dhe në të gjitha shkallët, është kërkuar gjetja e zgjidhjes, duke paraqitur dimensionet reale të problemit. Kjo të bën të mendosh për qëllime të mbrapshta të fshehura pas këtyre qëndrimeve. I pari, është vënia në dyshim e kufijve të gëzimit të pronës. Marrëveshja mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke marrë parasysh mangësi të procesit të rikthimit të pronave dhe regjistrimit të tyre, kapitalizon dhe njeh si pasuri të Kishës, të gjitha pa përjashtim, vendet e adhurimit të njohura botërisht si të tilla. Asnjë kufizim nuk vendos edhe për ato sa kanë karakterin e monumentit të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore Orthodhokse. Për më tepër, Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën kryesimin dhe frymëzimin e Kryepiskopit Anastas, duke ndjerë thellë barrën e të qenit trashëgimtarë dhe përgjegjës për një pasuri kaq të çmuar dhe unikale, që në fillimet pas përndjekjes dhe paralelisht me përpjekjen për ringjalljen e besimit dhe strukturave të saj, tregoi kujdes analog për restaurimin, promovimin, mirëmbajtjen e dhjetëra dhe qindra kishave, manastireve e parakliseve historike.

Pikërisht, krijimi i një ndërgjegjeje mbi këtë përgjegjësi edhe në komunitetet më të largëta dhe të vogla, pavarësisht nivelit arsimor dhe kulturor, përtej vlerave të investuara në sektorin e restaurimit, është një mundësi të cilën vetëm Kisha mundet ta ofrojë.

Në të gjitha dokumentet e rëndësishme që përmbledhin përvojën shkencore dhe jo vetëm në rang botëror mbi trashëgiminë kulturore, mbetet esenciale rëndësia e rijetëzimit të monumenteve dhe krijimi i komuniteteve të lidhura me to, që do të shtrijnë në kohë interesimin dhe kujdesin.

Në fakt, sjellja e këtyre instancave shtetërore të udhëhequra qoftë nga synimi i administrimit të disa fondeve, mentaliteti i kufizimit të së drejtës pronësore dhe gëzimit të saj nga komunitetet lokale Orthodhokse dhe qëllimi i mbrapshtë i krijimit të irritimeve të padëshiruara në gjirin e Komunitetit Orthodhoks, minon pikërisht vazhdimin e kujdesit mbi këto kisha dhe manastire.

Kisha Orthodhokse dhe komunitetet lokale të besimtarëve i ngritën këto kisha dhe manastire qoftë si struktura arkitektonike dhe ndërtimore, qoftë në interierin e tyre të pasuruar me afreske dhe ikonografi apo të skulpturës kishtare. I mirëmbajnë ato për shekuj me radhë dhe u gëzohen si vende ku me breza i janë lutur Perëndisë. I konsiderojnë në ndërgjegjen e tyre si të shenjta dhe është pikërisht kjo që u ka zgjatur jetëgjatësinë dhe përbëjnë garancinë e vijimit në kohë dhe hapësirë.

Të besuarit prepotent nga ana e autoriteteve shtetërore se ndërhyrjet fragmentare dhe të paplota në kohë janë shpëtimi, është thjeshtim prej injoranti i çështjes.

Nëse ekziston realisht gatishmëri, sikundër pretendohet nga ana e institucioneve shtetërore, tani është momenti që në frymë sinqeriteti të manifestohet qasje e re. Përndryshe do të ishte e ngutshme nevoja që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë të ndryshojë diametralisht qëndrimin e saj, për të imponuar respektin, përgjegjshmërinë dhe kryesisht ligjshmërinë e çështjes.

O. B.