EmailFacebookKontakt

Mrekulli që është e vështirë të besohet…

At Heiki Hutunen nga Kisha Orthodhokse e Finlandës

– Pas 10 vjetësh nga vizita e parë në Shqipëri, cilat janë përshtypjet tuaja?
– Përshtypjet e mia janë të vështira për t’u shprehur. Mendoj se jam dëshmitar i një mrekullie, që gati është e vështirë të besohet se është e vërtetë për Kishën, por do thoja edhe për gjithë shoqërinë. Por, mrekullia më e pabesueshme është Kisha juaj.

Shumë mendime më vijnë në mendje, por shoh ndryshime dhe zhvillime të tilla, që nuk i gjen në asnjë kishë tjetër orthodhokse, dhe mbase në asnjë kishë tjetër në gjithë botën.

– Cilat janë përshtypjet tuaja për Asamblenë dhe kushtet e krijuara?
– Asambleja është për mendimin tim plotësisht e sukseshme. Edhe mjediset janë të këndshme dhe funksionale. Kjo është e favorshme për punën që ne po bëjmë së bashku dhe gjithçka po shkon mjaft mirë.

Për rezultatet e Asamblesë mund të thosha mjaft. Atmosfera e saj ishte mjaft e ngrohtë dhe miqësore dhe jo gjithmonë ka qenë kështu në mbledhje të tilla, si p.sh. në Asamblenë e kaluar, që qe më e vështirë. Kjo për shumë arsye. Së pari, sepse Syndesmos pati çaste të vështira në 4 vjetët e fundit dhe tani ndjesia është se ka filluar një periudhë e re dhe ka një atmosferë mjaft pozitive. Në këtë ka ndikuar mjaft dhe Kryepiskopi Anastas dhe organizimi nga Kisha juaj.

Ne shohim se tani është një grup i ri që po del nga Syndesmos dhe një kohë e re po fillon.

Si ishin marrëdhëniet në këto ditë të Syndesmos midis të rinjve me kombësi dhe kultura të ndryshme?
Dhespina nga Greqia: Shumë të mira. Kemi shumë lidhje miqësore. Veçanërisht të rinjtë nga India dhe Afrika kanë një sens të veçantë humori.

Fakti që jemi nga vende të ndryshme nuk përbën aspak pengesë në bashkëpunimin tonë. Puna na sjell më afër dhe i forcon marrëdhëniet midis nesh. Nëse bisedon me dikë mund të kesh edhe mosmarrëveshje, por nëse punon duhet që patjetër të biesh dakort dhe pikërisht këtu marrëdhëniet bëhen më të veçanta.

Kemi dëgjuar për vështirësitë për përhapjen e Ungjillit në Indonezi si edhe për mrekullitë që Perëndia ka bërë atje për të mbështetur punën tuaj. A mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij fakti?
At Mateu nga Indonezia: Kemi pasur probleme, pasi të krishterët janë pakicë në Indonezi. Duke qenë minoritet ne nuk mund të shprehemi lirshëm në mbrojtje të të drejtave tona. Zoti gjithmonë na ka mbrojtur sepse Ai e do popullin e tij. Ka ndodhur një mrekulli në një nga kishat tona në Xhafarin qendror. Në kishën e Shën Ekaterinës nën altar nga shenja e kryqit ka rrjedhur miro erëmirë. Kjo gjë tregon se Shpirti i Shenjtë gjendet në kishë dhe i mbështet besimtarët për përpjekjet e tyre në forcimin në Indonezi të Kishës Orthodhokse.

Si e shikoni fillimin e aktivitetit të Syndesmos në Shqipëri?
Tudori nga Rumania: Jam 17 vjeç dhe siç dëgjova jam më i vogli në këtë asamble. Është hera e parë që vij në Shqipëri por më pëlqen shumë ky vend si edhe konstrukti i kompleksit të ndërtesave të Manastirit të Shën Vlashit. Është vend shumë i përshtatshëm për zhvillimin e Asamblesë së Përgjithshme të Syndesmos.

Ju keni ardhur nga Vendet e Ulta në një vend me reliev malor si Shqipëria, si ju duket kjo gjë?
Idvin nga Hollanda: Është e vërtetë se Shqipëria është ndryshe nga Hollanda sepse ne nuk kemi male. Manastiri këtu dhe ambienti përreth përbëjnë një vend të mahnitshëm. Por kur mendojmë se kjo gjë është ndërtuar për një periudhë shumë të shkurtër e dimë se kemi të bëjmë me një mrekulli.

A keni gjetur ndonjë mënyrë efiçente për t’i sjellë njerëzit në Kishë?
Në lidhjen tonë rinore ne jemi përpjekur të gjejmë mënyra të ndryshme për t’i sjellë njerëzit në Kishë. Mendoj se mund të ndihmojë shumë organizimi i takimeve rinore. Ne po dalim jashtë dhe po përpiqemi që së pari të gjejmë të rinjtë orthodhoksë që ndodhen në Hollandë. Më vonë kur ne të bëhemi më shumë anëtarë do të përpiqemi të arrijmë dhe të prezantojmë orthodhoksinë edhe tek të rinjtë joorthodhoksë.

(vijon në faqen 10)