– Ndërkohë, nuk harrohet të përmenden e dekorohen mikroshoqata, që kanë dhuruar veçse disa mijëra dollarë… –
Para disa ditësh, në datë 23 tetor, Televizioni shtetëror transmetoi një kronikë nga kampi “Olimpia”. Në të jepeshin jeta dhe problemet e të strehuarve aty nga Kosova, si dhe shqetësimet për perspektivën. Kronika mbyllej me një afirmim, se UNHCR po bisedon “me shoqatën që kujdeset për kampin”, për ta shtyrë afatin e hapjes së tij përtej dhjetorit 2000.
Në këtë rast, kemi të bëjmë me një deformim flagrant të realitetit, ose më mirë, një heshtje të qëllimshme për të vërtetën, gjë që nuk përputhet aspak me qëllimin e informacionit — informimin e saktë dhe të paanshëm të publikut. Aq më tepër kur kjo është diçka që përsëritet dhe ai që informon pretendon se, si shërbim publik, është i paanshëm dhe mbarëpërfaqësues. Po ku qëndron deformimi apo më mirë – mashtrimi.
Dihet tashmë publikisht, se kampi në fjalë, ku kanë kaluar me qindra të ardhur nga lufta në Kosovë, administrohet nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nëpërmjet një Zyre të posaçme. Kjo zyrë, është ngritur në bashkëpunim midis sektorit social të Kishës sonë “Shërbimi i Dashurisë” (Diaconia Agapis), me sektorin e emergjencave të Këshillit Botëror të Kishave-ACT (Action by Churches Together).
DA/ACT ka administruar gjatë krizës kosovare më shumë se 10 milionë dollarë ndihmë për të ardhurit, ndërsa sot kujdeset për kampin “Olimpia”, që është i vetmi ende në funksionim, si dhe për realizimin e shumë projekteve për rehabilitimin e objekteve shkollore, që vetëm për vitin 2000 e kalon shifrën e 1 milion dollarëve.
Asgjë nga këto, që përmendëm më sipër, nuk u dha në kronikë dhe askund nuk u përmend, qoftë edhe shkarazi ky kontribut i Kishës dhe veçanërisht i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasit, interesimi i drejtpërdrejtë i të cilit bëri të mundur sigurimin e këtyre fondeve dhe realizimin me sukses të plotë të këtyre programeve.
Siç thamë, ky s’është një veprim i izoluar. Në këta dy vitet e fundit ka ndodhur mjaft herë të bëhen kronika, në TVSH apo mediat private, ku paraqitej puna e Kishës në ndihmë të vëllezërve të ardhur nga Kosova, por… duke ia atribuar atë ndonjë shoqate (të huaj), shumicën e rasteve pa emër.
Po kështu, ndërsa në televizione e kronika gazetash janë përmendur edhe shoqata që kanë dhuruar gjithëgjithë disa mijëra dollarë, pothuajse kurrë nuk është folur për këtë përpjekje të jashtëzakonshme të Kishës sonë. Pa folur pastaj, për faktin, se janë nderuar e dekoruar zyrtarisht subjekte që kanë bërë shumë herë më pak dhe nga organizmat shtetërore ka ekzistuar një “ndrojtje” (apo mosdashje), për të folur për ndihmën e Komunitetit Orthodhoks dhe të Kryepiskopit Anastas për shqiptarët e Kosovës.
Nuk është fjala për ndonjë xhelozi tonën. Kjo vepër frymëzohet nga morali i krishterë orthodhoks, për t’iu gjendur gjithmonë pranë atij që është në nevojë, i cili e ka dalluar Kishën tonë Orthodhokse Autoqefale gjatë gjithë krizave që ka kaluar vendi.
Por, nga ana tjetër, tashmë e gjithë kjo të ngjan gjithnjë e më shumë me një heshtje të qëllimshme, që, në mënyrë më shumë ose më pak të pandërgjegjshme, synon e sjell përçarje dhe diskriminim. Përçarje dhe diskriminim të Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk ka për t’i pranuar dhe lejuar kurrë.
Th. Dhima.