EmailFacebookKontakt

Mos u ndesh me qiellin

Këtë fjalim që përshkruan në mënyrë të qartë fuqinë e pamposhtur të Kishës, Shën Joan Gojarti e tha para besimtarëve të Konstandinopojës pak kohë para se të internohej nga perandoresha Evdoksia më 403 pas Krishtit. Po japim në vazhdim një pjesë karakteristike:

Janë të shumta dallgët, është e tmerrshme furtuna, po s’kemi frikë se mos mbytemi, sepse qëndrojmë sipër shkëmbit. Le të tërbohet deti, shkëmbin s’ka si e shkul. Le të ngrihen dallgët, anijen e Krishtit nuk e përpijnë dot.

Më thuaj, pse të kemi frikë? Nga vdekja? Jetë për mua është Krishti; po edhe sikur të vdes, fitim do të kem. Mos nga internimi? I Zotit është tërë dheu dhe çdo gjë është mbi të. Mos nga konfiskimi i pronave? Asgjë s’kemi prurë me vete në këtë botë, pra asgjë s’kemi për të marrë nga kjo.

Nuk më trembin kërcënimet e botës dhe nuk më gënjejnë bukuritë e saj. S’më tremb varfëria, nuk e dua pasurinë. S’më tremb vdekja dhe nuk uroj të rroj, veçse për përparimin tuaj. Prandaj dhe në këtë çast ju kujtoj dhe i lutem dashurisë tuaj të kini kurajë. Sepse asnjë s’do të mund të na ndajë. Atë që Perëndia e bashkoi, njeriu s’mund ta ndajë… S’mund të prishësh Kishën e Perëndisë. E lufton, po pa mundur që ta dëmtosh. E bën më të lavdishme, ndërsa veten e shkatërron. Eshtë keq t’u biesh me shqelma gozhdëve të mprehura. Gozhdëve nuk u bën gjë, këmbët e tua gjakos. Po kështu dhe dallgët nuk shkulin shkëmbin, po vet shpërndahen në shkumë.

S’ka asgjë më të fuqishme se Kisha, o njeri. Ndale luftën, që të mos shkatërrohesh vetë. Mos u ndesh me qiellin. Kur ndeshesh me njeri o fiton o mundesh. Por, po u ndeshe me Kishën, është e pamundur të fitosh. Sepse Perëndia është më i fuqishëm se të gjithë. Le të mos e zemërojmë Zotin. Mos jemi më të fuqishëm se Ai? Perëndia ngul, cili guxon të lëkundë? Nuk merr parasysh fuqinë e Tij? Shikon tokën dhe e bën të dridhet. Jep urdhër dhe forcohet çdo gjë që lëkundet. Nëse ruajti qytetin që lëkundej nga tërmeti, shumë më tepër mund të mbrojë Kishën.

Kisha është më e fortë se qielli. Qielli e dheu do të shkojnë, po fjalët e Zotit s’do të shkojnë kurrë. Cilat fjalë: “Ti je Petër, dhe mbi këtë gur do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit s’do ta prishin atë”. Po s’u beson fjalëve, besoju fakteve. Sa tiranë deshën të prishin Kishën? Sa mjete janë përdorur! Sa furra dhe dhëmbë bishash dhe shpata të mprehura! Dhe nuk fituan. Ku janë armiqtë? Janë harruar dhe nuk kujtohen më. Dhe ku është Kisha? Ajo shkëlqen më shumë se dielli. Ata janë zhdukur, Kisha është e pavdekshme. Në qoftë se Kisha nuk është mposhtur kur ka patur pak pasues, si do të mposhtet sot, që mbushi tërë botën? Qielli e dheu do të shkojnë, po fjalët e mia s’do të shkojnë kurrë.

Dhe është shumë e natyrshme kjo. Për Perëndinë është më e dashur Kisha se qielli. Zoti nuk veshi trupin e qiellit, po trupin e Kishës. Qielli u bë për Kishën dhe Kisha për qiellin. Asgjë të mos ju shqetësojë nga ato që u bënë për qiellin. Asgjë të mos ju shqetësojë nga ato që u bënë. Vetëm për një gjë ju lutem: të kini besim të patundur. Nuk patë Petrin që ecte mbi ujërat dhe kur pak dyshoi, filloi të kredhej, jo nga dallgët e tërbuara, por nga dobësia e besimit? Se mos vota e njerëzve më solli në këtë post? Se mos ndonjë njeri më caktoi në këtë detyrë të lartë, që të më heqë? Nuk i them këto nga kryelartësia apo për t’u mburrur, por që t’ju forcoj juve. Meqënëse qyteti shpëtoi nga tërmeti, djalli deshi të lëkundë Kishën.

Djall i ndyrë dhe i tërëndyrë, nuk munde të rrëzosh mure dhe pret të rrëzosh Kishën? Se mos Kisha përbëhet prej gurësh? Kisha përbëhet nga masa e besimtarëve. Ja se sa shtylla e mbajnë të fortë Kishën të lidhura jo me hekur, po me besimin. Janë aq të shumtë e më më të fortë se zjarri. Po edhe sikur të ishte vetëm një, s’do të kishe asnjë sukses. Ti e di se sa plagë të hapën martirët. Një vajzë e njomë u çua për t’u martirizuar. Ishte më e butë dhe se dylli. Po u bë më e fortë dhe se guri. Ia çave brinjët me thonj prej hekuri, po besimin e saj nuk ia more. U mpi trupi, po u bë gjigant besimi. Tretej mishi, forcohej mendimi. Prishej materia, mbetej shpresa. S’ke mundur të mposhtësh një grua, dhe pret të mposhtësh tërë masën. Nuk dëgjon Zotin që thotë: ku gjenden dy a tre të mbledhur në emrin tim, atje gjendem edhe unë midis tyre?

Këtu, pra, ku është aq popull besimtar, i bashkuar me anën e dashurisë, është e mundur që të mungojë Perëndia?