Deklaratë e Lidhjes Rinore Orthodhokse
“Mos krijoni iluzione”
Lidhja e Rinisë Orthodhokse, – si gjymtyrë e pandarë e Trupit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me në krye Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin e Tiranës e të gjithë Shqipërisë, Anastasin, – gjatë ditëve të janarit, përjetoi me indinjatë të thellë, një varg sulmesh pa asnjë bazë, kundër Kryepiskopit Anastas, Kishës Orthodhokse, besimtarëve të Saj, Lidhjes sonë Rinore Orthodhokse, si dhe kundër vetë shenjtorëve të kësaj kishe.
Rrethi vicioz antiorthodhoks i përbërë prej disa elementësh në organe të shtypit – si “Republika”, “Dita Informacion”, “Rilindja” e Kosovës, “Albania” etj., qarqe të njohura për artikujt vrer-vjellës të firmosura nga persona publikisht të njohur, për qëndrimet e tyre tërësisht antiorthodhokse, si S. Protopapa, B. Malo, A. Shehu, J. Alibali etj., – shpërthen edhe njëherë në një fushatë, ku si qëllim të vetin ka akumulimin nëpërmjet pikash helmi shtrydhur me aq zell nga zotërinjtë artikull-shkrues në fjalë, të një rrëkeje, e cila do të “përmbytë” Kishën tonë Orthodhokse.
Arsyetimi llogjik, që të sjell në këtë përfundim qëndron në faktin, se në të kundërt me ç’thonë këto artikuj, periudha në fjalë nga Krishtlindja e deri tani është dalluar nga një sërë veprimtarish mjaft të sukseshme, që kanë dëshmuar një përtëritje të mëtejshme të Besimit Orthodhoks, si kremtimi madhështor i Krishtlindjes, që u transmetua drejtpërdrejt në TV; shërbesa për 115-vjetorin e lindjes së Imzot Nolit më 5 janar në Durrës, e cila u celebrua nga Kryepiskopi Anastas i ftuar nga shoqata “Fan Noli” e qytetit; kremtimi i paharrueshëm i Ujit të Bekuar në Berat, ku Fortlumturia e Tij hodhi Kryqin në prani të më shumë se 50 mijë qytetarëve Beratas të të dy besimeve, kronikë e cila u pasqyrua dhe në TV; vendosja e gurit të themelit për kishën e shën Gjergjit, Fier, për kishën e shën Triadhës, Vrakë etj.
Por, në vend të qëndrimeve e pasqyrimit pozitiv, alergjia e këtyre personave ndaj Kishës sonë dhe Ngjalljes së Saj në këtë gjysmë dekadë të fundit, falë Perëndisë dhe udhëheqjes së hirshme të figurës së ndritur shpirtërore e intelektuale të Kryepiskopit Anastas bën, që të shpalosin akoma dhe më haptas mllefin e tyre, duke manipuluar opinionin publik me shpifje të ulta kundër Kishës dhe Primatit të Saj, për të konkluduar me reklamime komitetesh fantazëm, siç është fjala për Komitetin për Mbrojtjen e Autoqefalisë në Elbasan, lajmi i lëngërimit të së cilës, përcillet më dt.6 shkurt nga gazeta “Republika”.
Vetëm një ditë pas shpalljes së këtij lajmi, kryetari i këtij komiteti “shpëtues” me emër Mustafa fillon tratativat me organet lokalë të Elbasanit, që Kishës së shën Marisë marrë forcërisht prej Nikolla Markut, t’i bashkangjitë dhe ndërtesën e mitropolisë së Elbasanit ndërtuar në këto vite prej KOASH-it, për ta përdorur si seli në funksion të “komitetit”.
Por, zëri i të rinjve, që iu thërret, iu paralajmëron të mos guxoni ta bëni një hap të tillë. Përkundrazi t’i jepni fund dhe përdhosjes në kishën e shën Marisë, Elbasan. Ju thërret po ai zë i pa molepsur (në këtë përvjetor të 20-shkurtit), që me jehonën e tij shembi regjimin ateist më 90-tën, i riktheu kishës shqiptare, kishën e shën Prokopit, Tiranë, më 93-shin me protestat e tij. E pra, ky zë nuk do të ngurrojë kurrë të ngrihet kundër të gjithë marionetave e skenarëve, që tërheqin me vete zgjyrën e së shkuarës, kalemxhinjve dhe mustafave, që dhe pse me besim islamik nën petkun e pseudo-atdhetarizmave kërkojnë të ushtrojnë kontroll mbi kishën tonë.
Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale i përket popullit orthodhoks shqiptar, i përket rinisë orthodhokse, e cila është e tashmja dhe e ardhmja e kësaj kishe e ndoshta në një vizion të alert, do të jetë një kishë, e cila do të përqafohet e do t’i përkasë të gjithë popullit shqiptar. Sikurse kisha jonë fokusohet në zhvillimin e jetës së saj, duke qënë gjithnjë krahëhapur e mikpritëse ndaj çdonjërit, por njëkohësisht pa dhunuar lirinë e askujt e pa ndërhyrë asnjëherë në çështje të brendshme të komuniteteve të tjera fetare, ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë këtu ato të masmedias të çlirohen nga delire kontroll-ushtruese mbi Kishën tonë Orthodhokse. Askush le mos krijojë iluzione, se mund të bëjë çfarë të dojë me kishën tonë, sepse do të gjendet para asaj rinie, e cila në eksperiencën e saj jetësore ka rrëzuar regjime të errët e pse jo dhe atavizma të tij.
Për këshillin e përgjithshëm të Lidhjes së Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë
Miron Cako, dhiakon Josif Gjyli, Nina Gramo, Vangjel Përdhiku, Andi Nikolla, Kristina Hanxhari, Ilia Mazniku