EmailFacebookKontakt

Mize-ja i mençur afrikan

Në 24 maj 1964, në Kishën e Shën Joanit në Renti të Pireut, Kryepiskopi ynë, Fortlumturia e Tij, Anastasi, u hirotonis prift. Mori po atë ditë edhe ofiqin e arkimandritit. Providenca e Perëndisë e përgatiste për të ndërmarrë misionin tanimë me dimension historik në hierapostullimin orthodhoks. Fjala është për kontributin e Kryepiskopit në rigjallërimin dhe përhapjen e Orthodhoksisë në Afrikën Lindore. Menjëherë pas hirotonisë, të njëjtën pasdite, u nis për në Kampala të Ugandës…

Në librin e tij “Në Afrikë” ka mjaft të dhëna për këtë periudhë të parë hierapostullimi dhe baritimi në atë rajon. Kryepiskopi Anastas u rithirr në ato vende edhe në vitet ’80, për të zgjidhur situata të vështira, por sidomos për t’i dhënë hov, me mënyrën e tij unike, zhvillimit të Orthodhoksisë dhe mbështetjes së komuniteteve lokale. I gjithë ky kontribut, kjo përvojë e vyer, përbën sot shkollë autentike për hierapostullimin, përhapjen e besimit të Krishterë, mesazhit të Ungjillit dhe për më tepër, solidaritetit dhe përparimit të shoqërisë.

Kur Kryepiskopi Anastas u thirr për të ndërmarrë misionin e tij në Shqipëri, fillimisht si Ekzark dhe më vonë në krye të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale, teksa ndodhej ende në Afrikë, një plak (“mize” në gjuhën e fisit), në një dialog spontan, pas komunikimi se po largohej nga Afrika, i tha: “E di pse ju dërgojnë në vend tjetër”. “E përse, mize?” “Sepse jeni njeri që ndërtoni…”.

Fjalë të mençura me çiltërsinë dhe dashurinë e paimprovizuar afrikane. Konkluzion nga përvoja e jetuar gjatë asaj periudhe kur Kryepiskopi Anastas ishte Kryepiskop i Komanduar i Afrikës Lindore (Ugandë, Kenia dhe Tanzani).

Kishte shkuar aty thuajse në të njëjtat kushte dhe me të njëjtën detyrë me atë në Shqipërinë e viteve ’90. Ishte krijuar skizmë mes komunitetit orthodhoks lokal me Patriarkanën e Aleksandrisë dhe fryti i mundit të hierapostullimit në ato treva kërcënohej seriozisht. Kryepiskopi Anastas, i dëgjuar në mjedisin e Orthodhoksisë Ekumenike dhe në rrethet e marrëdhënieve ndërtëkrishtera e ato të dialogut ndërfetar si “Episkopi Paqebërës”, ia arriti të kapërcejë kontradiktat dhe përplasjet, por jo vetëm. Ai rikrijoi perspektivë për hierapostullimin Orthodhoks në ato hapësira dhe ristabilizoi komunitetet orthodhokse lokale.

Ndërtues i shpresës në Shqipëri
Kur plaku i mençur afrikan vërente se Kryepiskopi Anastas është njeri që ndërton, mendimi shkon tek ndërtimet konkrete, tek objektet. Ato natyrisht nuk janë të pakta në këto tre dekada në vendin tonë. Kisha, objekte për shërbimet administrative të saj, godina shkollore, komplekse për veprimtari sociale… Të gjithanë fakt punishte të dashurisë.

Por përtej kësaj, Kryepiskopi Anastas duke u shkrirë në ofrim vetësakrifikimi për dashurinë e Krishtit, ka ndërtuar shpresë. A mundet të ndërtohet shpresa? Realiteti i një Kishe që në vitet ’90 nuk ekzistonte dhe sot është në nivelet që secili prej pjesëtarëve të saj e përjeton dhe dëshmon, e konfirmon faktin se Kryepiskopi Anastas ndërtoi shpresën. Jo vetëm për orthodhoksët. U përpoq dhe e jep akoma mesazhin se në këtë vend, kjo shoqëri dhe qytetarët e saj meritojnë një të ardhme dhe perspektivë shpresëdhënëse.

Këtë e bën jo si teori dhe predikim nga detyra. E konkretizon dhe e materializon me nisma autentike dhe të suksesshme në shumë fusha dhe dimensione.

Vetë ai lëvizi në drejtim të kundërt. Kur thuajse të gjithë dëshironin të braktisnin vendin, ai erdhi mes nesh. Kur aq shumë u luftua për t’u larguar, ai këmbënguli për të qëndruar pranë nesh… Kur shumë arsye edhe objektive, diktonin tërheqjen, ai mbeti stoik duke frymëzuar shpresën. Vargu ungjillor që e frymëzon është: “…e nëse fara e grurit nuk bie në tokë e të vdesë, nuk sjell fryt…”.

Dhe shpresa ndërtohet në ato komunitete të gjalla eukaristike në mbarë vendin tonë, në ato shkolla që qëndrojnë në avangardë të arsimit dhe, për më tepër, në mbështetjen e mijëra njerëzve, qindra familjeve për të gjetur ideal të qenësishëm e të besueshëm.

Kryepiskopi kultivon përditë ndërgjegje të krishterë dhe prandaj ka grigjë reale dhe shpresëplote…

Ndërtues urash
Kryepiskopi Anastas u kujdes gjatë gjithë jetës që të ruajë e të forcojë ura lidhëse. Gjithashtu, ai ka krijuar edhe mjaft ura të reja, në një mënyrë autentike dhe origjinale, që mbeten shembuj të papërsëritshëm pajtimi dhe mirëkuptimi. Kjo veti e tij në shmangien e konfliktualitetit të padëshiruar dhe zbutjen e përplasjeve në të gjitha ambientet dhe situata të komplikuara që e konfirmojnë edhe një herë se ai plaku i mençur i Afrikës kishte shikim depërtues dhe me një fjalë të tij tha aq shumë edhe për vitet që do pasonin në jetën e Kryepiskopit Anastas.

Për 33 vjet në Kishën që Perëndia e ftoi të baritojë dhe në vendin tonë ndërtoi ura të një uniteti që mbetet testament monumental për të ardhmen.

Brenda Kishës dhe duke i mësuar idesë se një pyll nuk është i bukur duke pasur vetëm një pemë, por se larmia i jep hijeshi dhe dinamikë, i mban bashkë gjithë orthodhoksët pavarësisht origjinës etnike dhe gjuhës amtare. Ata që i njohin konjukturat dhe interesat jo konvergente munden ta kuptojnë më thellë se çfarë arti kërkohet në ndërtimin e urave për një arritje dhe rezultat të atillë.

Dhe për më tepër, në një vend me diversitetin fetar si ky i yni dhe gjithashtu me faktorë të jashtëm që do të investoheshin për përplasje dhe konflikte të natyrës fetare, Kryepiskopi Anastas ishte arkitekt dhe realizues i një sërë nismash të bashkëpunimit dhe bashkekzistencës, që kanë lënë gjurmë në histori, e që kanë për t’u studiuar thellë me qëllim implementimin e tyre edhe në raste të tjera.

Ura komunikimi u ndërtuan edhe në rajon dhe për këtë faktet janë të pasura dhe kërkojnë hapësirë për t’u përshkruar me hollësi.

Ndërtues i dashurisë
A mundet të ndërtohet dashuria? Në kohë ku predominon trysnia për individualizëm dhe ineteresa vetiake, Kryepiskopi Anastas dëshmon dhe mëson se duhet rezistuar në ndërtimin e ndërgjegjes për komunitet dhe shoqëri. Jo një shoqëri të mbështetur mbi një ekuilibër interesash apo si një mundësi për përfitim.

I frymëzuar si rrallëkush nga ideali i dashurisë së painteres sikundër Zoti dhe Perëndia ynë Jisu Krisht na tregon, Kryepiskopi Anastas krijon pa u lodhur mjedisin e dashurisë, duke kultivuar së pari ndërgjegje për burimin e dashurisë së painteres i cili gjendet tek Kryqi i Zotit, që sjell dhe ka në vetvete Ngjalljen. Dashuria që fal dhe që fiton.

Prandaj edhe u përpoq aq shumë të mësohet në Kishën e tij Himni i Dashurisë i Apostullit të Kombeve, Pavlit. Asaj dashurie që nuk mban mëri, që nuk humbet, që mëshiron, që duron…

Edhe me shembullin e tij tregon se mund të realizohet dhe nuk është utopi…

Orfea Beci