EmailFacebookKontakt

Mitropolia e Gjirokastrës – Shkolla e Mesme Unike Kishtare “Kryqi i Nderuar”

Synohet një rritje cilësore…

Nga Pirro Kondili
Drejtor (i komanduar) i shkollës së Mesme Unike Kishtare “Kryqi i Nderuar”

Sivjet Shkolla e Mesme Unike Kishtare “Kryqi i Nderuar”, e themeluar nën kujdesin e Kryehirësisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, ka hyrë në vitin e shtatë të funksionimit të saj. Shkolla ka si qëllim integrimin në një të ardhme sa më të afërt të nxënësve të saj së pari, në shoqërinë orthodhokse dhe, së dyti, në shoqërinë shqiptare më gjerë. Si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, synohet në një rritje cilësore të arsimimit të tyre të përgjithshëm, por edhe të formimit të tyre kishtar e teologjik.

Kuptohet që e dyta përbën edhe qëllimin kryesor të themelimit të kësaj shkolle dhe përcakton në një masë të konsiderueshme edhe suksesin, apo mossuksesin e punës sonë. Dihet se sa emergjente vazhdojnë të jenë ende nevojat e Kishës Orthodhokse për kuadro dhe bashkëpunëtorë në fusha të ndryshme të veprimtarisë së saj shpirtërore, si klerikë, teologë, katekistë etj. Shkolla jonë, duke pasur parasysh edhe moshën relativisht të vogël të nxënësve të saj, është ndoshta një nga terrenet më të përshtatshëm për të kultivuar tek nxënësit e saj aspiratën e një perspektive të tillë.

Përveç punës edukative që bëhet për edukimin orthodhoks të vetë nxënësve, ka vite që shkolla jonë ka ndërmarrë zhvillimin e mësimeve të katekizmit në zonën e Lunxhërisë me ndihmën edhe të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Mësues katekistë janë vetë nxënësit, ata të vitit të fundit, të cilët shkojnë të organizuar dy herë në javë fshat më fshat, duke grumbulluar nxënësit e fshatrave e duke u folur atyre për besimin orthodhoks. Ndihemi me të vërtetë të lumtur kur dëgjojmë p.sh. çdo vit nga nxënës që interesohen të vazhdojnë studimet në shkollën tonë, të përmendin emrat e nxënësve tanë katekistë si njerëzit që u folën për herë të parë për besimin tonë.

Ky vit shkollor është viti i shtatë të funksionimit të saj dhe tashmë duken qartë frytet e një pune të mundimshme disavjeçare plot përkushtim të të gjithë atyre që janë përpjekur me mish e me shpirt gjatë këtyre viteve për të përmirësuar gjithnjë e më tepër nivelin arsimor e edukativ të kësaj shkolle, midis të cilëve do të përmendja padyshim edhe ish-drejtuesin e pesë viteve të para të kësaj shkolle, hieromonakun Nikiforos Mikrajianitis. Sivjet shkolla jonë ka pasur nderin dhe kënaqësinë të presë në gjirin e saj për herë të parë kuadrin e parë mësimdhënës të dalë nga gjiri i saj, duke shpresuar se në të ardhmen do të kemi edhe ish-nxënës të tjerë, të cilët do të japin ndihmesën e tyre për mbarëvajtjen e saj, kësaj here nga pozicioni i bashkëpunëtorit të drejtpërdrejtë.

Para disa kohësh, duke marrë parasysh kushtet konkrete të arsimit në Shqipëri, por edhe realitetin e situatës kishtare, e cila nuk është më ajo e disa viteve më parë, shkolla jonë bëri disa ndryshime në programet mësimore, duke ulur ngarkesën mësimore të lëndëve teologjike e duke zëvendësuar programet dhe tekstet e vjetra të këtyre lëndëve me tekste bashkëkohore, të cilat u konsideruan si më të përshtatshme për edukimin orthodhoks të nxënësve tanë.

Me të njëjtin intensitet që është punuar në drejtim të përmirësimit të edukatës mësimore kishtare të nxënësve po punohet ndërkohë dhe në aspektin e përgatitjes shkencore të tyre. Eshtë fakt se kjo shkollë ishte ndër të parat në Shqipëri që aplikoi metodat bashkëkohore të mësimdhënies si kompjuter, CD, video, projektor etj., dhe ndër të paktat shkolla që disponojnë laboratorë të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme. Përmirësimi, modernizimi e pasurimi i këtyre laboratorëve mbetet një nga objektivat tona të përhershme për formimin cilësor të nxënësve tanë.

Shkollimi cilësor i orthodhoksëve ka qenë historikisht dhe vazhdon të mbetet edhe sot një nga pikat më të forta të pranisë së tyre në gjirin e shoqërisë shqiptare. Në vetvete ky pohim përmban, më shumë se çdo gjë tjetër, përgjegjësi. Nuk mjafton vetëm lavdia e së kaluarës për të shtruar rrugën për të ardhmen. Kërkohet punë, shumë punë. Vetëm me punë mund të garantohet pjesëmarrja e suksesshme në këtë shoqëri e brezave të orthodhoksëve që do të vijnë.

Për vetë natyrën e shkollës, rritja e nivelit edukativ dhe shkencor të së cilës presupozon edhe thithjen e një numri kandidatësh për vitin e parë gjithnjë e më të përgatitur nga ana shkencore, po bëhet fatkeqësisht gjithnjë e më e vështirë. Arsyeja e parë i kushtohet faktit që, të paktën këto vitet e fundit, u jemi drejtuar kryesisht nxënësve që vijnë nga zona të thella e që nuk kanë mundësi të vazhdojnë arsimin e mesëm pranë familjeve të tyre. Dihet se në këto zona sistemi arsimor po dobësohet dita-ditës e niveli arsimor i nxënësve që mbarojnë tetëvjeçaren është në ulje. Ka p.sh. shkolla tetëvjeçare, në të cilat jep mësim vetëm një mësues. Vetëkuptohet se cili është niveli i nxënësve që vijnë nga këto shkolla. Arsyeja e dytë i kushtohet rënies së nivelit arsimor tetëvjeçar në përgjithësi.

Në këto rrethana jemi të detyruar të gjejmë një zgjidhje sa më të përshtatshme. Kuptohet, që edhe këta nxënës duhen ndihmuar, por edhe niveli edukativ e shkencor i shkollës duhet përmirësuar. Një nga rrugët që ndjekim është shtimi i ngarkesës mësimore për nxënësit, respektimi me rreptësi i orarit të studimit, si dhe kurset e konsultimet pas orëve të mësimit për të gjithë ata që e kanë të nevojshme të plotësojnë mangësitë e së kaluarës.

Për këtë vit shkollor u bë edhe një përpjekje tjetër, disi e veçantë. Një ekip mësuesish të shkollës shkuan pranë çdo mitropolie, duke marrë përsipër zhvillimin e provimeve të pranimit, me kritere thellësisht objektive përsa i përket nivelit arsimor të kandidatëve që vinin nga këto mitropoli. Pra, u vu theksi mbi një pikë të dobët të pranimit të nxënësve, pavarësisht se duhet pranuar se edhe kriteret e tjera s’duhen lënë mënjanë. Në të njëjtën kohë, u shtua numri i mësuesve të përhershëm, të cilët ofrojnë ekskluzivisht shërbimet e tyre në shkollën tonë. Eshtë edhe kjo një lëvizje që synon në përmirësimin e punës me nxënësit dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor e edukativ në përgjithësi.

Rritja e nivelit edukativ e shkencor të shkollës nuk varet vetëm nga stafi i kësaj shkolle. Sado i përkushtuar që të jetë ky staf, pa një bashkërendim përpjekjesh të hallkave të ndryshme ndërmjetëse, rezultatet e punës së tij nuk mund të jenë kurrë ato që do të dëshironim të gjithë. P.sh. kufizimi i numrit të kandidatëve vetëm në një krahinë të caktuar të një mitropolie nuk siguron mundësinë e përzgjedhjes cilësore të nxënësve të pranuar, pa përmendur këtu, se ka pasur raste kur problemi ka qenë edhe më i madh se kaq. Gjithashtu, nxënësit më të përshtatshëm të kësaj shkolle do të ishin padyshim ata që kanë marrë pjesë edhe më parë në mësimet e katekizmit që zhvillohen prej mitropolive nga kanë ardhur. Vetëm në këtë mënyrë mund të kursehen energji, që shpenzohen për të mbuluar mangësitë e së kaluarës, energji të cilat mund të përdoren fare mirë për rritjen e cilësisë së procesit mësimor-edukativ e të nivelit shkencor të nxënësve.