Më 21 maj, Zyra e katekizmit e Mitropolisë së Elbasanit në bashkëpunim me Zyrën e Fëmijëve të Kryepiskopatës, zhvilluan shfaqjen teatrale me kukulla, “Tri pemët”.
Ajo u ndoq nga fëmijët e grupeve të katekizmit të Elbasanit, Cërrikut, Shtërmenit, Kuqanit dhe Shijonit. Fëmijët morën pjesë edhe në aktivitete të larmishme, ku përfshiheshin këngë, lojëra etj.
Armand Oga
Me bekimin e Mitropolitit, Hirësi Andoni kisha “Metamorfoza e Shpëtimtarit” në qytetin e Gramshit, u zbukurua me pemë dhe lule të shumta meqenëse edhe hapësira që ajo ka në dispozicion ia mundëson këtë gjë.
Stafi i Zyrës rinore të Kryepiskopatës mori përsipër plotësimin me pemë dhe zbukurimin e ambienteve me lule. Përgjatë një periudhe dyjavore u mbollën më shumë se 30 rrënjë ullinj, 20 rrënjë trëndafila, 2 bredha në hyrje të kishës, si dhe disa qiparisa. Enoria jonë po mendon ta plotësojë të gjithë hapësirën e rrotull kishës me pemë të tjera, për të hijeshuar shtëpinë e Zotit, për të siguruar ekonomi ndihmëse për Kishën në të ardhmen, por edhe për ta shndërruar në hapësire publike për meditim e çlodhje.
Kemi ende nevojë për ndihmë për të siguruar pemët që na nevojiten edhe gjithkush është i mirëpritur për të kontribuuar sadopak. Falënderojmë ata që na ndihmuan: Zyrën “Diakonia Agapes”, “VONO 2022”, z. Jani Meni, z. Aleksandër Dimroçi, znj. Joana Molla.
Atë Grigor Pelushi