EmailFacebookKontakt

Mitropolia e Elbasanit – Mësime shpirtërore dhe zbavitje për fëmijët orthodhoksë

Zyra e Katekizmit e Mitropolisë së Elbasanit, me bekimin e Mitropolitit, Hirësi Andonit vazhdoi edhe këtë verë traditën e bukur të kampeve ditore verore. Kampe të tilla janë organizuar në Elbasan, Librazhd, Përrenjas dhe në zonën e Shpatit.

– Mjaft fëmijë tërhoqi kampi në fshatin Shelcan. Gjatë 5 ditëve ata mësuan për Liturgjinë Hyjnore, veçanërisht për pjesëmarrjen tonë fizike dhe shpirtërore në jetën adhuruese të Kishës. Nuk munguan aktivitetet zbavitëse, lojërat, puna e dorës dhe një program artistik.

– “Nesër është e diela e Zotit, le të shkojmë në Kishë.” Kjo ishte një ndër nën temat që u realizuan me fëmijët në kampin ditor veror të enorisë “Shën Athanasi”, Elbasan. Për pesë ditë ata kaluan kohë në shoqërinë e njëri-tjetrit, u argëtuan dhe mësuan për kuptimin dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në Liturgjinë Hyjnore.

Këtë vit në kamp morën pjesë 50 fëmijë, të grupmoshës 6-14 vjeç. Ditën e fundit të kampit, që ishte e diel, ata morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, që e bëri Hirësi Andoni, bashkë me klerikët e kësaj enorie, atë Petro Halili, atë Gjergji Trebicka dhe atë Pavli Dimashi. Më pas fëmijët dhanë një program artistik.

– Edhe në qytetin e Librazhdit u vazhdua tradita e kampeve verore, në enorinë “Ngjitja e Zotit Krisht në Qiej – Analipsi”. Në program kishte lutje, këngë, mësime edukative, punëdore dhe lojëra. Në ditët e kampit, fëmijët mësuan rreth shërbimit si përkujdesje dhe përgjegjësi.

– Nga data 30 qershor, për 5 ditë, u zhvillua kampi veror për fëmijë në enorinë “Shën Nikolla”, në Elbasan. Tema e tij u përqendrua te Liturgjia Hyjnore, nëpërmjet të cilës fëmijët mësuan më tepër rreth Besimit tonë Orthodhoks, duke u bashkuar me Krishtin në misterin e Eukaristisë Hyjnore. Fëmijët kishin përgatitur një program artistik, të cilin e shfaqën ditën e fundit, pas Liturgjisë Hyjnore, ku ishte i pranishëm edhe Hirësi Andoni, si dhe prindërit e fëmijëve, besimtarë të enorisë etj.

– Zyra e Katekizmit zhvilloi kampin ditor edhe për fëmijët e të rinjtë e Përrenjasit. Programi përmbante lutje, mësime, aktivitete krijuese dhe argëtuese, këngë, lojëra, program artistik etj. Pjesëmarrësit mësuan që ne jemi krijesa më e dashur e Perëndisë dhe duhet të kujdesemi për gjithë krijimin.

Armand Oga