Me shpresën e Ngjalljes dhe jetën e përjetshme, më dt. 20 korrik 2024, fjeti në paqe në moshën 90-vjeçare Ati dhe Kryebariu ynë i dashur, Imzot Ignati.
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, imzot Ignat Triantis lindi më 8 Nëntor 1934, në ditën kur festojnë Kryeengjëjt, në fshatin Prodhromos të rrethit të Thivës, në një familje të thjeshtë arvanitase, ku u pagëzua nga prindërit Lluka dhe Marie Triantis me emrin Joan. “Në mënyrë të veçantë nga nëna kam mësuar gjuhën e bukur shqipe”, – thoshte që në ditët e para të ardhjes së tij në Berat.
Shkollën fillore e mbaroi me rezultate shumë të mira në fshatin e lindjes. Arsimin e mesëm të përgjithshëm e kreu me rezultate të larta në seminarin kishtar dhe në gjimnazin laik në Korinth dhe më pas në ishullin Patmos, ku shën Joan Teologu shkroi Zbulesën.
Prej vitit 1954 deri në vitin 1960 mbaroi me sukses shkollën e lartë në degën e Teologjisë pranë Universitetit të Athinës. Në të njëjtën periudhë u diplomua në shkollën e lartë të Muzikës Bizantine me rezultate të larta. Që në bankat e shkollave të mesme dhe të larta iu përkushtua veprimtarisë së larmishme kishtare. Ka shërbyer si katekist, duke u dhënë mësime kishtare besimtarëve të moshave të ndryshme; duke u aktivizuar si psalt në shumë kisha; duke predikuar vazhdimisht gjatë Liturgjive Hyjnore e duke trajtuar tema të rëndësishme. Ka dhënë në shkolla të mesme lëndë si: Letërsi, Gjuhë, Histori, Gjeografi dhe Teologji, të cilat i dhanë mundësinë të zgjeronte horizontin fetar e kulturor për t’u bërë në të ardhmen klerik i aftë dhe i devotshëm. U hirotonis prift në vitin 1967. Shërbeu si famullitar në katedralen e Thivës, si zëvendësepiskop në rrethin e Thivës, si Igumen manastiret e Oshënar Llukait dhe të Shën Serafimit në malin Dhomvu. Ka shërbyer gjithashtu si atë shpirtëror i Dioqezës së Thivës dhe Livadhjasë.
Si shpërblim për punën e tij të gjatë e të zellshme në vreshtin e Perëndisë, Zoti e bëri të denjë të zgjidhet Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, me propozim të Patriarkut Ekumenik, më 24 Qershor 1992, në të njëjtin moment me Kryepiskopin Anastas. Kjo datë shënon edhe fillimin e ringritjes nga themelet e Kishës sonë të vuajtur. Për arsye të situatave të vështira të asaj kohe, hirotonisja në Mitropolit e Imzot Ignatit u krye 4 vite më vonë më 27 Korrik 1996 në Konstandinopojë dhe 2 vite më pas, më 18 Korrik 1998 u krye fronëzimi në Kishën e Shën Spiridhonit si Mitropolit i Mitropolisë së Shenjtë të Beratit Vlorës dhe Kaninës, ku shërbeu për 26 vjet.
Ai solli urtësinë, dashurinë dhe bekimin në Beratin e lashtë. Ishte model i vullnetit dhe përkushtimit. Brenda pak kohe ia doli të mbillte kudo të farëra shëndetshme e plot fryt, pemën e besimit tek Perëndia. Ishte gjithmonë i pranishëm me orë të tëra si atë shpirtëror, në rrëfime dhe këshillime, lutje të pandërprera, si dhe duke u kujdesur kurdoherë pranë të lënguarve, të sëmurëve, familjeve në nevojë ekonomike dhe shpirtërore, duke u bërë kështu, anëtar hirprurës i shumë prej familjeve beratase.
Me iniciativën e tij u hap mensa e “Shën Joan Përdëllimtari” për të ushqyer shumë persona në nevojë. Për këto atribute të shenjta, beratasit i propozuan Bashkisë së qytetit që ta nderonte me titullin e lartë “Qytetar nderi”.
Me përkushtim model, me një gjuhë të pastër, të bukur, të trashëguar nga të parët e tij, në çdo predikim jepte mesazhin për virtyte të shenjta e dashuri vëllazërore.
Pa u lodhur, me pamje fisnike dhe ndriçim hyjnor, takonte e përshëndeste çdokënd. I urtë, i dashur, i thjeshtë, i palodhur, thoshin të gjithë sa e njohën duke lënë në zemrat e tyre një kujtim të veçantë.
Imzot Ignati ishte autor i disa librave në shqip dhe greqisht si:
– “Buqetë lulesh shpirtërore I”;
– “Buqetë lulesh shpirtërore II”;
– Koleksionin me tre vëllime “Poezitë e kallogjerit”
– “Përulësia sipas shkrimit të Shenjtë dhe Etërve të Kishës”
– “Jerondi i Patmos, Jeromonaku Amfiloh Makri”, me të cilin u nderua nga Akademia e Athinës. Mbi këtë libër u mbështet komisioni i Patriarkanës Ekumenike për shpalljen e Shën Amfilokios shenjtor në vitin 2018;
– “Oshënar Serafimi në malin Dhomvu”;
– “Atë Joani” murg në manastirin e Shën Serafimit.
“Beko Zotin o shpirti im dhe ti o zemra ime, emrin e tij të shenjtë”.
Ky varg nga psalmet e Davidit, përdorej nga Hirësi Ignati në çdo ngjarje ngazëlluese, sepse përshkruante më së miri personin e tij, si dhe misionin e bekuar baritor që mbajti mbi shpatulla. Një jetë e tërë e përkushtuar Zotit, duke e dashur pafundësisht atë, Krijuesin, si dhe krijesën e tij të dashur, njeriun.
Falënderojmë Zotin që na bekoi të kishim këtë njeri të shenjtë mes nesh për plot 26 vite. I përjetshëm qoftë kujtimi i Tij!