Fjala Mister vjen nga greqishtja “mysterion”, dhe që është forma e përbërë e foljes “myo”, e cila do thotë të mbyllësh sytë, me qëllim që t’i mbrosh ato nga një vizion i jashtëzakonshëm i Hyjnisë apo nga ngjarje të tjera të mbinatyrshme. Në ritualin orthodhoks ato përbëjnë një numër ceremonish, të themeluara nga Krishti – disa drejtpërdrejt, si Pagëzimi e Kungimi – dhe të tjerat indirekt, nëpërmjet Apostujve, të cilët i themeluan në bazë të fjalëve e veprave të Mësuesit të tyre dhe nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë. Këto ceremoni janë të nevojshme dhe janë gjithashtu shenja të prekshme të Hirit Hyjnor, i cili vepron në mënyrë të padukshme, me anë të një energjie mbinatyrore, në shpirtrat e besimtarëve të sinqertë e të devotshëm, duke i rigjeneruar ata në një jetë të re në Krishtin. Termi “mister” përdoret gjithashtu për të treguar vullnetin e Perëndisë, i cili është jashtë çdo kuptimi të mendjes njerëzore, si dhe për të vërteta të tjera, p.sh dogma e Trinitetit, e cila nuk mund të shpjegohet në mënyrë racionale. Meqënëse janë themeluar nga vetë Krishti – drejtpërdrejt apo indirekt – si mjete të transmetimit të hirit ato janë të domosdoshme për të përjetuar një jetë me Krishtin në Shpirtin e Shenjtë. Por, duhet kuptuar se energjia e Shpirtit të Shenjtë s’është e mbyllur vetëm në këto ceremoni. Ajo mund të veprojë edhe jashtë mistereve, por, përsa i përket dy mistereve, Pagëzimit, si akt inicimi e Kungimit, si akt përjetimi me Krishtin, në këto dy ceremoni janë të vetmet rrugë për marrjen e Hirit.
Misteret janë shenja të dukshme të Hirit Hyjnor e si të tilla, ato kanë dy aspekte; atë të jashtëm dhe atë të brendshëm. Pjesa më e madhe e mistereve përdor gjëra materiale si enë të Frymës. Duke bërë kështu, Kisha në fakt është frymëzuar nga Trupëzimi i Zotit, i cili u bë mish për shpëtimin tonë. Kështu, që mund të themi që Jisu Krishti është misteri i parë i pranisë së Perëndisë në botë. Kisha vetë është një mister, duke e bërë reale praninë e Trinisë në botë sot. I tërë universi është një mister, një lloj “shkurreje e zjarrtë kozmike, mbushur me zjarrin hyjnor dhe prapë i padjegur”, siç thotë peshkopi Kallistos Ware. Duke ditur që ne kemi një trup, si edhe një shpirt, Perëndia s’e komunikon jetën e Tij vetëm në mënyrë të padukshme. Ai na jep hirin e Tij nëpërmjet simbolit të disa shenjave materiale: kështu, duke parë ujë ne njohim që diçka lahet dhe duke parë bukë ne njohim që jemi ushqyer. Do vijë dita kur nuk do të jetë më e nevojshme për të përdorur shenja materiale, sepse atëherë ne do e shohim Atë ballë për ballë dhe do të marrim pjesë në Të në ditët pa netë të mbretërisë së Tij. Nëpërmjet përdorimit të gjërave materiale në misteret, natyra merr pjesë në shpëtimin e njeriut. Buka, uji, vera etj. bëhen mbartës të fuqisë të Perëndisë. Natyra dhe Fryma bashkohen në Shpëtimin. Shën Joan Gojarti na thotë të shohim tej shenjave materiale: “Kur ju vini në misterin e Pagëzimit sytë e mishit shohin ujë, por sytë e besës shohin Frymën. Ato sy shohin trupin që u pagëzua, sytë e tjerë shohin njeriun e vjetër që u varros. Sytë e mishit shohin mishin që u la, por sytë e frymës shohin shpirtin që u pastrua. Sytë e trupit shohin trupin që del nga uji, sytë e frymës shohin njeriun e ri që po del duke ndriçuar nga pastrimi i ri…”
Në misteret e Kishës Orthodhokse Hyjnia “pushon” së qeni transhendent. Ai vjen e banon në tempull dhe kisha bëhet kështu “qiell në tokë”, sipas thënies klasike orthodhokse.
Sipas Shën Nikolla Kabasilas misteret përbëjnë jetën tonë në Krishtin. Ne nuk mund të jemi të krishterë të vërtetë nëse i shohim ato thjesht si rituale mekanike. Qëllimi i vërtetë i tyre është të nisin tek besimtari jetën e Krishtit. Nëpërmjet mistereve Perëndia sjell jetën e Tij tek ne dhe mbretëria e Tij bëhet e arritshme. Misteret nuk janë “makina shpëtimi”, as rituale magjike, që punojnë automatikisht, por ato janë takime personale me Krishtin në besë. At Xhorxh (Gjergj) Florofski shkruan: “Kulmi i Misterit (Kungatës) është në Praninë e Krishtit… dhe në takimin personal të besimtarëve me Zotin e tyre të Gjallë, si pjesëmarrës në “Darkën e Tij Mistike”. Realiteti më i lartë i këtij takimi theksohet me forcë në shërbesën për përgatitjen e Kungimit. Përgatitja në këtë mister është personale dhe intime… (mbizotëron theksi personal në të gjitha lutjet). Ky takim personal i besimtarëve me Krishtin është thelbi i jetës së devotshme orthodhokse.”
Gjithashtu, duhet dalluar “efikasiteti” i Misterit (kjo do të thotë, që ai në vetvete është një fuqi autentike hirdhënëse) prej “efektshmërisë” së Misterit (që do të thotë se sa është pranuar kjo fuqi hirdhënëse nga ai që ka marrë misterin). Misteret janë “mënyra që veprojnë në mënyrë të pagabueshme me anë të hirit mbi ata që vijnë tek ato”, siç thuhet tek letra e Patrikëve të Lindjes. Por frytshmëria e tyre tek besnikët, fuqia e tyre rinovuese dhe shpëtimtare, varet se sa denjësisht afrohen ata tek misteri. Një afrim i padenjë mund të shkaktojë jo drejtësim, por dënim. Hiri nuk ndërhyn në lirinë e njeriut, nuk vepron mbi atë në mënyrë të pakundërshtueshme. Shpesh njerëzit nuk marrin nga misteret atë që ata mund të japin, dhe kjo ndodh ngaqë zemrat e tyre nuk janë të hapura për të pranuar e marrë hirin, ose ata s’e ruajnë dhuratën e Perëndisë, që kanë marrë më parë. Për këtë arsye, ndodh që njerëz që janë të pagëzuar, jo vetëm s’i përmbushin betimet e bëra vetë apo nga nunët e tyre gjatë pagëzimit dhe që tashmë janë zhveshur nga hiri që kishin marrë, por shpesh për humbjen e tyre shpirtërore, bëhen armiq të Zotit, mohues, të pabesë dhe “apostatë”.
Jeta e brendshme e Kishës është mistike (ose sakramentale). (1) Kjo nuk përputhet më me historinë e Kishës, që na tregon vetëm faktet e jashtme të jetës së saj e sidomos konfliktin me jetën dhe pasionet e botës. Jeta e brendshme e Kishës është bashkëveprimi mistik i Krishtit, si kokë, me Kishën si Trupi i Tij, në Shpirtin e Shenjtë me anë të një lidhjeje të fortë reciproke. “Ky është një mister i madh, por unë e them këtë për Krishtin dhe Kishën.” (Efes. 5:32). Prandaj, kur Apostujt e quanin veten “Kujdestarë të mistereve të Perëndisë” (I Kor. 4:1) ata kishin ndër mend forma të ndryshme të kujdestarisë dhe shërbesave të tyre si p.sh. 1) predikimi, 2) pagëzimi i atyre që besonin, 3) zbritjen e Shpirtit të Shenjtë nëpërmjet dorëzimit (hirotonisë), 4) forcimin e unitetit të besnikëve me Krishtin nëpërmjet misterit të Kungimit. Kështu pra, veprimtaria e Apostujve ishte plot me elemente mistike. Ndër to vendi qendror ose kulminant zihej nga ritet e shenjta. Prandaj, është e natyrshme, që në jetën e kishës seritë e veçanta dhe më të rëndësishme të shërbesave hirdhënëse, seritë e riteve të shenjta, gradualisht u quajtën “mistere”. Shën Ignati Hyjmbartësi, një nxënës i Apostujve, shkruan në lidhje me dhiakonët, që ata janë gjithashtu “shërbëtorë të mistereve të Krishtit”. Këto fjalë të Shenjtit e përmbysin thënien e protestantëve, që në kishën e vjetër koncepti i “mistereve” ose “sakramenteve” nuk përdorej për ritet e shenjta të Kishës. Ritet e shenjta të quajtura “mistere”, janë ashtu siç ishin majat e një vargmali të gjatë, të përbërë nga ritet dhe lutjet e Shërbesave Hyjnore. Tek misteret, lutjet dhe bekimet, në një formë apo tjetër, bashkohen së bashku. Fjalët e bekimeve, të shoqëruara nga veprimet e jashtme të shenjta, janë, ashtu si ishin, enët shpirtërore me anë të të cilave hiri i Shpirtit të Shenjtë merret dhe jepet tek anëtarët e Kishës, që janë besimtarë të sinqertë. Si përkufizim, mund të themi: Një mister është një akt i shenjtëruar, i cili nën një veprim të jashtëm komunikon në shpirtin e besimtarit hirin e padukshëm të Perëndisë.
Që një mister të jetë teologjikisht i vlefshëm dhe kishtarisht kanonik, ai duhet të kryhet nga një prift i dorëzuar kanonikisht dhe që është në kungim me Kishën. Kjo do të thotë, që një mister i kryer jashtë kishës, nga një prift heretik apo skizmatik, kishtarisht nuk është i pranuar. Duhet të theksojmë që episkopi apo prifti nuk janë kryerësit kryesorë të mistereve, por vetëm instrumente të nevojshëm, nëpërmjet të cilave Kryeprifti (Jisu Krishti) i kryen ato. Shën Joan Gojarti thotë: “Ati, Biri, dhe Shpirti i Shenjtë i kryen ato gjatë kohës që prifti flet apo shtrin dorën”. Kështu që, jeta personale e priftit, ose denjësia apo padenjësia e tij, nuk influencojnë shenjtërimin dhe fuqinë e misterit. Besohet që Perëndia vepron, madje edhe nëpërmjet klerikëve të padenjë. Kjo do të thotë që efektet e misterit, d.m.th. efektshmëria e tij, nuk dëmtohet nga një celebrues i padenjë. I vetmi kusht i duhur nga ana e celebruesit, që të jetë misteri i vlefshëm, është që ai duhet ta kryejë atë sipas porosive të kishës. Për këtë arsye, qysh prej fillimit, celebruesit të një misteri i kërkohej të vishte një lloj uniforme, veshjet priftërore me anë të të cilave ai ndahet nga jeta e tij dhe përgatitet për të kryer misterin, si instrument i Hyjnisë. Eshtë e panevojshme të thuhet që celebruesi i një misteri duhet të jetë një pjesëmarrës i sinqertë i besës që qëndron nën misteret orthodhokse. Kjo, gjithashtu, do të thotë që misteret e kryera jashtë kishës nuk janë të vlefshme.
Kisha orthodhokse numëron ndërmjet mistereve sa më poshtë: 1) Pagëzimi, 2) Mirosja, 3) Kungimi, 4) Pendimi, 5) Dorëzimi, 6) Martesa, 7) Efqelia. Por, megjithatë, ne duhet të kuptojmë që tradicionalisht Kisha Orthodhokse kurrë nuk e ka kufizuar numrin e mistereve vetëm tek shtatë. Numri shtatë s’ka rëndësi absolute dogmatike në teologjinë orthodhokse, por përdoret për përshtatshmërinë e tij. Eshtë më tepër simbolik dhe përdoret për të treguar përsosmërinë e hirit. P.sh. dhuratat e Shpirtit janë 7 (Isaia 11:2-4). Të vendosësh një kufizim në numrin e mistereve, do të thotë t’i shohësh ato nga një perspektivë shumë e ngushtë. Nëse një mister gjendet kudo ku hiri i Perëndisë ndërmjetëson tek njeriu nëpërmjet materies, atëhere nuk ka numër të kufizuar të Mistereve. Kështu që, tërë krijesa bëhet një mister, një theofani, nëpërmjet së cilës ne shohim Perëndinë. At Tomas Hopko përkufizon: “Tradicionalisht Kisha Orthodhokse e kupton çdo gjë që është në Kishë si mistike. E gjithë jeta bëhet një mister në Krishtin, i cili e mbush vetë jetën me Frymën e Perëndisë”.
Mistere të tjera të përmendura nga teologë orthodhoksë janë dhe Shërbesa e varrimit, Bekimi i Ujit, Shenjtërimi i Kishës, Bekimi i bukës, vajit, verës, frutave, shtëpive etj., Lipsanet e Shenjtëve, Ikonat, që nuk janë vetëm një imazh i botës hyjnore, por gjithashtu, janë prania e saj në tokë. Dhembshuria, sipas Shën Joan Gojarti është një mister: “Dhembshuria është një mister… sepse misteret tona janë përmbi të gjitha dashuria dhe dhembshuria e Zotit për njerëzimin”. Mund të numërohen edhe shërbesa të tjera të Kishës si atje mistere.
Numri i Mistereve nuk përcaktohet nga Dhiata e Re, as nga Etërit e Kishës. Por, gjatë jetës së saj, gradualisht u përcaktuan shtatë. Koha kur u caktuan përfundimisht misteret si shtatë ishte fundi i shek 13.
Si përfundim, mund ta përkufizojmë kështu esencën e çdo misteri nga të shtatët: “Në Pagëzim njeriu lind mistikërisht në jetën shpirtërore. Në Mirosje ai merr hirin, i cili e rrit atë shpirtërisht dhe e forcon. Në Kungim ai ushqehet shpirtërisht. Në Pendim ai shërohet nga sëmundjet shpirtërore (mëkatet). Në Dorëzim ai merr hirin shpirtërisht për të rigjeneruar e ushqyer të tjerët me anë të mësimit, lutjeve dhe Mistereve. Në Martesë ai merr hir, i cili shenjtëron martesën dhe lindjen e rritjen e fëmijëve. Në Efqeli ai shërohet nga sëmundjet e trupit me anë të shërimit të sëmundjeve shpirtërore.
Dhiakon Joan Pelushi
1) Fjala mister është termi i përdorur nga orthodhokset e Lindjes; sakrament (lat. sacramenta), është termi i përdorur në latinët e perëndimit. Meqenëse ky term përdorej në Perëndim përpara Skizmës me kishën Romane, nuk është gabim kur përdoret nga orthodhoksët e perëndimit, meqënëse atje shumë pak njerëz janë familjarë me termin “mister”. Përdorimi si mbiemër – “mistike” – në Lindje, ka padyshim një ngjyrosje më të brendshme se termi perëndimor, që ka kuptim më shumë për ritet e jashtme të Mistereve.
Ky është shkrimi i parë i një rubrike, që do t’i njohë lexuesit e “Ngjalljes” me Misteret e Shenjta të Kishës sonë Orthodhokse.