EmailFacebookKontakt

Misionarja e Krishtit – 34 vjet kontribut në Shqipëri

Pak nga përvoja ime 20-vjeçare

Motra Argjiro Kondojorgji lindi në vitin 1922 në ishullin Tinos të Greqisë. Ishte bashkëpunëtorja më e devotshme e Kryepiskopit të paharruar Anastas, për më shumë se 60 vjet. U njoha me Motrën Argjiro më 25 mars 2005, tek Kisha e Ungjillëzimit në Tiranë. Më pas qëndroja në shtëpinë e saj, sa herë ajo kishte nevojë dhe kontribuoja në zyrën e Arkivit të Kryepiskopatës në Tiranë. Motra ishte përgjegjëse për këtë zyrë dhe për shumë detyra të tjera, që i kryente me përkushtim e asketizëm, çdo ditë – që herët në mëngjes deri natën vonë – pa marrë asnjë ditë pushim. Në mesditë çlodhej në një stol të thjeshtë druri. Jeta e saj ishte sakrificë e vazhdueshme, shërbim vetmohues dhe besim i palëkundur përballë sfidave të shumta për ringritjen e Kishës Orthodhokse nga gërmadhat. Motra Argjiro ishte një personalitet karizmatik, me formim të lartë theologjik dhe me horizont të gjerë profesional e kulturor. Kishte përvojë si ekonomiste dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. Personaliteti i saj pasqyronte Ungjillin në veprim. Ishte e urtë, e drejtë, e përulur, besnike dhe korrekte në përmbushjen e çdo detyre. Nuk kërkonte asgjë për vete, as jetë të rehatshme, as lavdi apo famë. Përpiqej të imitonte Krishtin dhe ta donte gjithmonë e më shumë. Lutej vazhdimisht, thellohej në njohjen e Shkrimit të Shenjtë dhe në jetët e Shenjtorëve, merrte pjesë rregullisht në Misteret e Shenjta duke shkuar herët në Kishë para se të fillonin shërbesat që të ndihmonte pa u vënë re, nevojtarët pranë Kishës. Te Motra mishërohej himni i Dashurisë (1 Kor. 13). Që nga viti 2018 qëndrova çdo natë pranë Motrës Argjiro deri në fund të jetës së saj. Isha si në një shkollë virtyti, ku u thellova më shumë mbi misterin e vuajtjes dhe shpresës, jetës dhe vdekjes në Krishtin. Gjendja e saj fizike dhe zelli për Zotin mbetën të admirueshme deri në momentet e fundit. Kur mjekët e pyesnin për sekretin e kësaj gjendjeje, përgjigjej: “Kam zbatuar urdhërimet e Perëndisë, disiplinë shpirtërore dhe kreshmë sipas udhëzimeve të Kishës Orthodhokse”. Kur vuante nuk ankohej kurrë, gjithmonë thoshte: “Jam si do Perëndia, lavdi Perëndisë”.

Fytyra e saj rrezatonte dritë, gëzim dhe paqe. Krishti jetonte brenda saj. (Gal. 2:20). Jeta e saj ishte dëshmi e vazhdueshme e dashurisë për Perëndinë dhe për njeriun. Të panumërt janë ata që ka ndihmuar dhe ka frymëzuar të jetojnë sipas Krishtit. Me anë të bisedave dhe humorit që e karakterizonte përçonte mesazhin e shpëtimit. Mikpriste me dashuri çdo njeri që e vizitonte, e qeraste me gëzim, e falenderonte, i puthte duart, dhe e këshillonte me aftësi dalluese.

Disa nga këshillat e saj:
– Të shkosh në Kishë dhe të kungohesh i përgatitur.
– Të punosh me ndershmëri, sikur po vepron para Perëndisë.
– Duke dashur Perëndinë, do të mësosh të duash veten dhe të tjerët.
– Përballo çdo situatë i frymëzuar nga Fjala e Perëndisë dhe shembulli i shenjtorëve tanë.
– Mos u merr me hamendësime dhe largohu nga fryma kureshtare.
– Përderisa Krishti u ngjall, nuk kemi përse të mërzitemi.

Motra Argjiro e mbushur me hirin e Perëndisë dhe e pajisur me dhuntitë e një misionareje të denjë, mbeti e vetëdijshme për kufijtë e natyrës njerëzore dhe jetoi deri në fund të jetës me pendim të thellë, falje të sinqertë dhe falënderim ndaj Perëndisë dhe njeriut. Kështu u bë tempull i Shpirtit të Shenjtë (1 Kor. 3:16-17) ku shkëlqenin virtytet e Tij (Gal. 5:22-23). Shpesh shikonte vegime, kryesisht të Tërëshenjtën Mari, që e donte shumë. Perëndia i dhuroi dhuntinë profetike. Paratha ndarjen nga kjo jetë të Kryepiskopit të shenjtë Anastas, jetëndërrimin e saj dhe ngjarje të tjera.

Shpirti i Motrës Argjiro u nda nga trupi më 5 gusht 2025 e rrethuar nga njerëzit e saj të dashur që i shërbyen me përkushtim. Edhe pas dy ditësh në frigorifer, trupi i saj, 103-vjeçar ruajti butësinë dhe elasticitetin dhe nuk u prek nga shenjat e zakonshme të vdekjes.

“Lum ai njeri – Motra Argjiro – që Ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua, o Zot” (Ps. 65:4), sepse: “Punoi në heshtje, por la vepra që flasin; jetoi me vetmohim, u bë shembull për imitim; kontribuoi me dashuri, tani gëzon në Parajsë, pranë Krishtit Perëndi”.

Lavdi Perëndisë Triadik që lejoi të jem pranë Motrës Argjiro, së cilës, me mirënjohje të thellë i dedikova punimin e Masterit Shkencor.

Marina Baba

Më 7 shkurt 2026 mbushen plot 34 vjet nga hapja e Seminarit Theologjik në Durrës (1992).