EmailFacebookKontakt

Mirësia

Me “mirësi” kuptojmë sjelljet e veprat njeridashëse. Jemi mësuar të quajmë të mirë atë që është i dashur me të gjithë, i gatshëm për t’iu gjendur nevojtarëve etj.

Aristoteli thotë: “Mirësia është ajo, që të gjithë e dëshirojmë”.

Njeriu është në gjendje të dallojë të mirën, por e dëshiron atë nga të tjerët, ndërkohë që e ka të vështirë ta zbatojë vetë. Kjo, sepse e keqja është e trashëguar e ka rrënjë të thella. Psikologjia na thotë, se shpirti njerëzor vjen në botë si një “tabula rasa” (letër e bardhë), mbi të cilën shoqëria do shkruajë mirësinë apo të keqen. Prirjet potenciale pozitive e negative të tij, kultivohen në varësi të mjedisit familjar e shoqëror. Brenda këtyre zhvillimeve, personaliteti i njeriut shpeshherë dyzohet. Nga njëra anë mirësia, si rezultat i krijimit sipas shembëlltyrës së Perëndisë dhe, nga ana tjetër – e keqja, që ekziston brenda nesh si pasojë e mëkatit.

Apostull Pavli tek Romakët thotë: “Në fakt unë e di se në mua, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë, sepse ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën nuk ia gjej mënyrën” (Rom. 7:18).

Për të dalë nga kjo gjendje e mjerueshme, na vjen në ndihmë Hiri i Perëndisë, i Cili u dhuron besimtarëve fuqi e ndriçim, që ata ta njohin dhe ta bëjnë realitet mirësinë. Eshtë Ai, që vjen të na dhurojë lirinë, duke na çliruar nga skllavëria e mëkatit: “Sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin e veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filip. 2,13). Por, s’mjafton vetëm Hiri i Perëndisë, por nevojitet dhe dëshira e njeriut. Siç thekson Apostull Pavli: “Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam, dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë…” (I Korinth. 15:10).

Ekziston ama edhe ana tjetër e medaljes, që njeriu që bën mirësi, ta konsiderojë pastaj veten e tij më lart se të tjerët, më të mirë, duke menduar si fariseu. Kjo mund të na shpjerë në mendje-madhësi e të arrijmë deri atje, sa t’i përçmojmë të tjerët si mëkatarë. Harrojmë se vetë Krishti u shoqërua me njerëz të tillë të përçmuar (siç qenë tagrambledhësi, samaritania, gruaja e përdalë, kusari etj.).

Nuk mjafton vetëm të bëjmë mirësi, por rëndësi themelore ka pozicioni ynë ndaj Perëndisë e njerëzve. Brenda kësaj marrëdhënieje personale me Atë, njeriu ndërgjegjësohet për të bërë vetëm mirësi.

Andrea Llukani