Katër të rinj të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Vangjelia Stambolliu, Elisabeta Stefani, Anastasia Drishti dhe Elton Harito, morën pjesë në kampingun e krishterë të organizuar në Danimarkë nga FDF dhe të sponsorizuar nga “Dan Church Aid”.
Kampi me temë kryesore mitologjinë e vendeve Skandinave, e pikërisht historinë e Vikingëve, u zhvillua nga 3-13 qershor me një pjesëmarrje të rreth 13 mijë të rinjsh. 1000 prej tyre i përkisnin të ftuarve nga vende të ndryshme si Amerika, Brazili, Rusia, Lituania, Anglia, Portugalia, Tanzania etj. Katër të rinjtë e Kishës Orthodhokse ndodheshin në këtë kamp edhe si përfaqësues të Shqipërisë dhe për herë të parë në historikun e këtij kampingu 90-vjeçar flamuri shqiptar u valëvit pranë flamujve të tjerë.
Vetëm brenda dy ditëve fusha me një sipërfaqe të stërmadhe u kthye në një qytet të vërtetë. Tendat, çadrat, supermarketet, libraritë, zyrat e informacionit, muzeumet, klubet, baret e gjithçka u ndërtuan prej druri e në një kohë rekord. Gjithçka u ndërtua në mënyrë të tillë, që t’i ngjasonte anijeve të lashta vikinge dhe të krijohej përshtypja e vitit 996. Mënyra e organizimit qe me të vërtetë e përkryer. Çdo individ i përkiste një fshati të emërtuar sipas anijeve vikinge dhe mbante kapelen me ngjyrën e veçantë. Tre festivalet e mëdha, të cilat sollën mesazhin e krishtërimit dhe të Zotit Iisu Krisht, paten diçka të veçantë. Kapelet me ngjyrat e tyre krijonin imazhin e ylberit, si simboli i një dite më të bukur. Madhëria e saj Mbretëresha e Danimarkës nderoi kampin me pjesëmarrjen e saj në një nga festivalet më të mëdha.
Pas kampit miqtë tanë danezë i dhanë mundësinë grupit shqiptar të vizitonte qytetet përreth e në veçanti kryeqytetin – Kopenhagen, i madhërishëm me kështjellat, katedralet dhe ndërtesat karakteristike. Aty, grupi u mirëprit nga prifti i kishës së vetme Orthodhokse Ruse të Danimarkës. Për të katër pjesëtarët e grupit ky aktivitet ishte me të vërtetë një hap i madh përpara, për të krijuar lidhje të reja midis rinisë sonë dhe të rinjve të krishterë të vendeve të tjera.
Përgatiti: E. Harito