EmailFacebookKontakt

Ministri Laço përgjigjet negativisht – Qeveria disponon më shumë “frikë Perëndie” se besimtarët

Ministri Laço përgjigjet negativisht

Qeveria disponon më shumë “frikë Perëndie” se besimtarët

– Deklarohet se përvetësimi komunist do të përjetësohet –

Pas deklaratës për Shtyp të Kryepiskopit Anastas, ku në emër të Komunitetit Orthodhoks kërkohej kthimi i pronave monument kulture, që po shkatërrohen nga vandalizmi, harresa e mungesa e fondeve për mirëmbajtjen e tyre (e jo më restaurimin), regjistrojmë veç një përgjigje negative nga Ministri i Kulturës, z. Teodor Laço, i cili mësohet nga shtypi të ketë deklaruar se:

“Qeveria nuk do t’i kthejë Kishës Orthodhokse kishat me vlera historike.”

Se “Pa një mbrojtje shtetërore të veçantë do ishin dëmtuar më shumë seç janë dëmtuar deri tani”.

Dhe se “Nuk është koha e para 30 vjetëve, kur njerëzit ende kishin një besim absolut dhe frikë tek Perëndia.”

Duket se fjalët e z. Ministër komentojnë vetveten, veçse do të shtronim disa pyetje pa pretenduar përgjigje nëpërmjet shtypit:

– Kur flitet për këto objekte, si ndodh që askush nuk shqetësohet të kuptojë se ç’përfaqësojnë ato shpirtërisht për Komunitetin Orthodhoks që i krijoi?

– Në Francë apo vende të tjera të globit, ka ndodhur të ndalohet besimi dhe të shkatërrohen e mbyllen objektet e kultit?

– Në qoftë se ndodhen nën një “mbrojtje të sigurisë së lartë”, si ndodh që sa venë e flrojnë nga hajdutët, shkatërrohen nga vandalët intolerantë apo… thjesht, bien përtokë nga mungesa e fondeve?

– Në se besimtarët nuk kanë “Frikë Perëndie”, atëherë i bie që atë ta kenë organet shtetërore dhe Instituti i Monumenteve?

– Dhe, për ta mbyllur, si shpjegohet që pushtetarët me origjinë orthodhokse janë gjithmonë më ngurues e negativë ndaj kërkesave të ngritura nga Komuniteti Orthodhoks?

TH.DH.