Mihal Ikonomi
Mihal Ikonomi (1918 – 1990)
Mihal Ikonomi mbeti jetim, nga i ati, në moshën 3 vjeç. Familja e tij kishte tradita orthodhokse, dhe paraardhës nga familje priftërore, ashtu siç tregon mbiemri i tij dhe banonin në Durrës. Vitet e fëmijërisë dhe rinisë ishin të mbushura me jetë dhe përkushtim në besimin Orthodhoks. U rrit në kohë varfërie, vështirësish dhe presioneve të fuqishme të proselitizmit uniat dhe mysliman për islamizim. U ndesh jashtë katakombeve dhe amfiteatrove, por u shqua që në moshë të vogël me pohim orthodhoks “Fëmijë martir”.
Familja e varfër dhe jetime e tij përballonte shumë probleme, por disa komshij tregonin “interesim”. Ndihmonin nënën të punonte, kujdeseshin për ekonominë e tyre, ndiqnin edukimin dhe sjelljen e fëmijëve etj.
Një herë pranuan vizitën e një kleriku për t’i njohur. Ishte mik i komshinjve të lagjes, që përkujdeseshin. Atëherë u zbulua se prapa këtyre “ndihmave” ishte vizitori klerik nga Elbasani, që bashkëpunonte me katolikët si unit.
Për nxënësin e shkëlqyer Mihal ai ofroi studime falas në Grota Ferratk dhe plus ndihmë për pjesëtarët e tjerë të familjes. Pas shumë diskutimesh dhe vërtetimesh të klerikut, e ëma pranoi studimet, kurse Mihali kundërshtonte. Diçka nuk e kënaqte!… Me fjalë të ëmbla dhe premtime ra dakord edhe ai për udhëtimin në Itali, e mashtroi rekrutimi edhe i pesë fëmijëve të tjerë bashkëmoshatarë.
Mihali i zgjuar dhe guximtar qëndroi pranë tyre, por shpejt u largua nga rrjetat e unitëve dhe u kthye bashkë me bashkëatdhetarë më 1929. Nga pesë të rekrutuari vetëm 3 mbetën në kolegj. Këto përpjekje, për krijimin e unitizmit në Shqipëri, qëndrojnë si një njollë e errët në marrëdhëniet gjithmonë pozitive midis dy kishave.
Në vazhdim e ëma kërkoi mbrojtje nga Kisha Orthodhokse. Me udhëheqës mësimin hyjnor, “ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve” (Psalm. 145:9) dhe bekimin e Kryepiskopit Visarion, u regjistrua më 1930 në Seminarin Orthodhoks “Apostull Pavli” në Tiranë.
Kur mbaroi studimet drejtor i seminarit ishte Dhimitër Beduli i cili i propozoi epitropisë që t’i jepnin një bursë për shkollën hieratike “Vella” (Janinë). Përfundoi edhe këtë arsim dhe mori bursë të re për studime teologjike në Rumani (1937 – 1941).
Me specialitetin e tij teologjik punoi për disa vjet, dhe përballoi dëbimin, vuajtjet, por kurrë s’e mohoi besimin e tij.
Në Krishtlindjen e vitit 1990, sapo filloi të agojë fitorja e Nazareut dhe do hapeshin kishat, Mihal Ikonomi vdiq nga ….gëzimi.
Ditën tjetër do të udhëtonte për në Rumani, për të takuar mësuesin e tij të universitetit dhe Atin shpirtëror, At Dhimitër Staniloaen, pas rreth 50 vjetësh përndjekjeje.
Pohimi i rinisë së tij është një dëshmi e jetës. Ofrimi i tij teologjik, kishtar dhe në përgjithësi shpirtëror është një kapitull i rëndësishëm “Mbledh frytin për jetën e përjetshme” (Joani 4:36).
Vasil Kaskadami
Teolog