EmailFacebookKontakt

Mihai Mavrudi (10 mars)

U lind në Euritani, në pjesën qendrore të Greqisë, prej prindërve Dhimitër dhe Statirë. I ati i vdiq herët dhe e ëma e martoi. Më vonë, shpërngulet në Selanik, ku punon si bukëshitës. I mëshirshëm, i virtytshëm, i përkushtuar tek fjala hyjnore, dëshiroi të bëhej murg, por e pengoi mosaprovimi i së shoqes. Kjo, derisa të Dielën e Faljes së Kryqit, të vitit 1544, dëgjon Krishtin në Ungjill (Mark. 8.34-9.1) që e fton për të mohuar vetveten, për të ngritur kryqin e vet dhe për ta ndjekur pas – të pohonte pa patur turp besimin e tij, dhe të flijonte edhe jetën për hir të Ungjillit.

Dëshira e tij ndizet. Pas tri ditësh në dyqanin e tij nis një diskutim fetar me një jo të krishterë, ku ndërhyn edhe një hoxhë kalimtar e atëherë shenjti kundërshton hapur. Pas kësaj e arrestojnë dhe gjykatësi që e hetoi i kërkoi t’i jepte me të shkruar të gjitha sa thotë, për t’i patur si dëshmi. Atëherë, shenjti gjen rastin për të shpallur dogmat e krishtera. Agarini zemërohet: ose do të pendohet ose do të digjet i gjallë. Por, Mihaili i përgjigjet duke kërkuar që drutë e zjarrit të blihen me paratë e tij, që flijimi i tij të jetë i pastër! E gjuajnë me shkopinj, por besimtarët që hynë në bodmmin ku e mbanin, e gjejnë të gëzuar. Madje, ai kishte parë Zotin që e ftonte në martirizim.

Përfundimisht, ditën tjetër, neomartiri hedh përsëri poshtë propozimet e kadiut. Bukëshitësi kërkon që të piqet si buka që do t’i jepet të Lartit, të digjet si temjan para Tij. “Nuk mohoj dashurinë e Jisuit të ëmbël…”. Ndezën edhe një zjarr për ta trembur, por më kot. Atëherë e lyejnë me squfur dhe ai digjet si një llambadhë – vetëhidhet në mes të zjarrit! Ndërsa turma e pushtuesve dhe të nënshtruarve ndjekin skenën me ndjenja të kundërta…