Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd ata që m’i dhe, që të jenë një, si ne. Kur isha me ta në botë, unë i ruaja në emrin tënd; ata që ti më dhe i ruajta, dhe asnjëri prej tyre nuk humbi, veç biri i humbjes, që të përmbushet Shkrimi. Dhe tani po vij tek ti; dhe këto i flas në botë, që të kenë në vetvete gëzimin tim të plotë. Unë u dhashë atyre fjalën tënde; dhe bota i urrejti, se nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota. Nuk të lutem që t’i marrësh nga bota, por që t’i ruash ata nga i ligu. Nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota. Shenjtëroi ata me të vërtetën tënde: fjala jote është e vërteta. Siç më dërgove mua në botë, edhe unë i dërgova ata në botë. Dhe për ata unë shenjtëroj veten time, që dhe ata të jenë të shenjtëruar me të vërtetën. Unë nuk të lutem vetëm për këta, por dhe për ata që do të më besojnë me anë të Fjalës së tyre: që të jenë të gjithë një, si ti, o Atë, tek unë, e unë tek ti, që edhe ata të jenë një tek ne; që bota të besojë se ti më dërgove. Dhe unë u dhashë atyre lavdinë që më dhe mua, që të jenë një, siç jemi ne një; unë tek ata dhe ti tek unë, që të jenë të përsosur në një dhe që bota ta dijë se ti më dërgove, dhe i deshe ata, siç më deshe mua.
Joani 17:11-23