Në kuadrin e programeve që aplikohen në shkollat e ngritura nga Kisha jonë, mjaft prej tyre janë risi dhe me arritjet më të fundit në fushën e mësimit dhe pedagogjisë. Kështu p.sh. programe të tilla zbatohen në shkollën e mesme “Frymë Dashurie”, në Mitropolinë e Gjirokastrës.
Në datën 23 shtator 2022, nxënësit e klasës së 10-të mblodhën ullinj që janë mbjellë në një nga mjediset e institucioneve arsimore dhe i përgatitën së bashku, si pjesë e programeve të integruara mjedisore.
Me anë të veprimtarive të tilla, të rinjtë marrin njohuri dhe bëhen të ndjeshëm në disa aspekte. P.sh. ndaj problemeve ekologjike, me përmasa mbarëbotërore, por edhe mësojnë shprehi praktike të nevojshme.
Kryepiskopi Anastas synon që interesimi shpirtëror i të gjithëve, mbi të gjitha i të rinjve, të shtrihet edhe në çështjet ekologjike, të cilat mundojnë njerëzimin në ditët e sotme. Ky është një veprim sa i urtë, aq edhe i dhembshur ndaj njeriut, që nxjerr në pah se Kisha interesohet për njeriun në tërësi, për shpirtin dhe për trupin e tij. Nxënësit, nëpërmjet dashurisë për natyrën dhe aktivizimit të tyre për ta mbrojtur atë, arrijnë të vënë re edhe ndotjen e atmosferës shpirtërore të shoqërisë, e cila sjell shkatërrime njerëzore dhe grumbullon rrënoja shpirtërore.
Ilia Mako