EmailFacebookKontakt

Meshë orthodhokse për Skënderbeun në Korçë

Në praninë e mijëra besimtarëve orthodhoksë të qytetit të Korçës në datën 17 Janar u përkujtua 525-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar dhe të dëshmorit të kishës sonë, Gjergj Kastriotit.

Në meshën e drejtuar nga At Kristo Raci, dhiakon Ilia Kotnani dhe predikuesi A. Gjata, u fol për prejardhjen e heroit tonë kombëtar.

Me këtë rast u theksua për kontributin që kanë dhënë vetë ai dhe familja e tij për kishën tonë orthodhokse, si në ndërtimin e kishave e manastireve si dhe për mbajtjen e manastireve në Mal të Shenjtë, si Manastirin e Hilandarit etj. Një vëlla i Skënderbeut, Reposhi, shërbeu si klerik orthodhoks në Mal të Shenjtë, deri në fund të jetës. Vetë heroi ynë kurorën e martesës e vuri në manastirin orthodhoks të Ardenicës.

Me këtë rast u ngrit lart shpirti kristian i heroit tonë kombëtar, luftrat e tij për mbrojtjen e atdheut e të krishterimit në Shqipëri dhe atij evropian.

Korresp. i “Ngjalljes”