– Marrin pjesë Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, besimtarë korçarë, klerikë dhe përfaqësues nga gjithë dioqezat e vendit –
– Kjo ngjarje përkujtohet në të gjitha Kishat e Shqipërisë me një meshë të posaçme dhe me rënien e kambanave –
Të martën më 22 shtator e gjithë Korça ishte në festë. Besimtarët orthodhoksë festuan 70-vjetorin e autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Shqiptare. Me këtë rast në Kishën e Mitropolisë së Korçës u mbajt një meshë madhështore, ku morën pjesë me qindra e qindra besimtarë. Meshën e kryesoi Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Kryehirësia e tij Imzot Anastasi.
Me këtë rast u dorëzua prift dhiaku nga Pogradeci Vasil Vasili, si dhe një dhiakon Thoma Samara nga Voskopoja.
Në mbarim të meshës Kryehirësia e tij Imzot Anastasi mbajti një fjalim me rastin e 70-vjetorit të shpalljes së autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Pasdite, në orën 17, në shtëpinë e kulturës të qytetit, ku para vitit 1967 ka qenë Kisha e Shën Gjergjit dhe ku është dorëzuar episkop Imzot Fan S. Noli, pionieri dhe autori kryesor i autoqefalisë sonë, u mbajt një Konferencë Solemne me rastin e këtij përvjetori. Në Konferencë u mbajtën 5 referate e kumtesa si: “Historiku i Kishës Orthodhokse Shqiptare” nga A. Gjata, “Përgatitja dhe shpallja e KOASH” nga I. Kotani, “Kisha arumune e Korçës dhe kontributi i saj për autoqefalinë” nga A. Spaho e V. Simaku, “Shkatërrimi mizor i orthodhoksizmit nga komunizmi” nga G. Miçinoti, “Ringjallja e Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare dhe kontributi i Kryepiskopit Anastas në riorganizimin dhe forcimin e saj” nga S. Bambulli.
Imzot Anastasi foli në këtë Konferencë për rëndësinë e autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Shqiptare, për rrugën e vështirë që ka kaluar kjo autoqefali, për persekutimin e Kishës Orthodhokse pas vitit 1944 nga regjimi komunist, për gjendjen e kishave pas fitores së demokracisë, për rrugët e mënyrat e mundshme për riorganizimin e forcimin e Kishës Orthodhokse, të domosdoshme këto për ruajtjen e kësaj autoqefalie, si dhe për problemet që po përballon sot orthodhoksia në vendin tonë.
Kori i fëmijëve korçarë këndoi psalme nga Shkrimet e Shenjta dhe recitime.
Nga Konferenca iu dërgua një telegram Presidentit të Republikës, z. Sali Berisha, Kryeministrit z. Aleksandër Meksi dhe Parlamentit, që u duartrokit nxehtësisht nga të pranishmit.
Korresp. i “Ngjalljes”