EmailFacebookKontakt

Mesditë në Shën Vlash

Në Durrës

Mesditë në Shën Vlash

-Ah, sikur Perëndia të më falte përsëri veshjen e Tij me emrin “Drejtësi” dhe të më hapte syrin e verbër me syrin e Tij “Dashuri”!

-Po vallë Drejtësinë, Dashurinë, ku ta kërkoj në këtë Botë??

-Perëndia! Vetëm Ai di të flas për të! Ai dëgjon nga qielli të bien plumbat mbi filizat e njomë,… Sheh foshnjat që dridhen në gjirin e nënës dhe… Dhe hesht Ai??… Jo! Ai i dha secilit prej nesh vrullin e erës, krahët e detit, që të shpresojmë, e të jetojnë gjatë si Feniksi, pranë çerdhes së Tij…

E pra, do të ishin këto fjalëzat e para, të Mesditës së 27 Korrikut, e cila u pasua me një drekë të shtruar pranë Manastirit të Shenjtë të Shën-Vlashit, me praninë e të rinjve të organizatave të ndryshme të vendit. Do të ishte ky Manastiri i parë që ndjeu mbi supet e tij hapat e Shpresës dhe të Ngrohtësisë, në çastet më agonike që kaluam. Do të ishin këta të rinj, që do të harronin për pak çaste, ankthet, klithmat e nënave, dhe aq më tepër të harronin sytë e frikësuar. Dëshironim që në këtë drekë të kësaj Mesdite të shkëmbenim ëmbëlsirat, bisedat, të shihnim tek fytyrat e secilit prej nesh, sytë që na qeshnin fëmijërisht, nga Paqja dhe Mirësia që na munguan… Dhe këto u realizuan. Ishin lojrat ato që do të sillnin shpirtin e mbushur me kolorinë e këngëve të Krishtera, që ndoshta e thyen atë monotoni të secilit nga ne. Do të ishte prania e At Theologut, At Lukës dhe priftëreshës Fotini, që e bënë më të ngrohtë këtë Mesditë… E, ndoshta nuk harruam të Kremten e kësaj dite. Shën Pandelimoni! Do të ishin të thjeshta e të sinqerta urimet për atë që festonte emrin e tij… Ndoshta edhe një urim i një Ditëlindjeje, s’do ishte keq që të ndahej midis Ngrohtësisë dhe Dashurisë me njeri-tjetrin…. Për pak çaste mjedisi i shkollës Teologjike u bë pjesë e jona; Madhështia e atij kompleksi të Shenjtë të Shën-Vlashit zuri vend në sytë tanë. Por ishim ne ata që, ashtu siç hodhëm hapat e para në këtë vend, ashtu edhe do të largoheshim…. Si?? Pa asnjë shenjë Shprese dhe Paqeje, në këto netë të trishta??….

Vendi pranë Kishës, do të ishte ai, që do të ndjente një lutje të nxjerrë nga shpirti i dërrmuar; do të merrte nga dora e njomur, por e fortë besërisht lambadhën, dritën e çdo të krishteri që nuk i mungon kurrë. Lambadhat tona të Miqësisë dhe të Shpresës mbuluan si zjarr i pashuar Besimi, vendin pranë Kishës… Dhe … midis tyre një lambadhë e ndezur për atë që rimëkëmbi truallin e harruar, ndoshta të Orthodhoksisë, në Shqipëri, për …Kryehirësinë e Tij, Kryepiskopin Anastas, që do të ishte akoma më tepër një rreze dashurie në zemrat e secilit prej të rinjve…….

Ndoshta me urimin se kaluam një Mesditë të Ngrohtë, secili nga ne u largua, duke marrë me vete gëzimin që u mungoi, buzëqeshjen që i kish humbur në këtë kohë që kaluam, dhe fitoi…… Fitoi mbi të gjitha, një shpirt të fortë, për të përballuar fillimin e Kreshmës së Fjetjes të Hyjlindëses dhe shpresën për t’u takuar në Mesdita të tjera edhe më të larmishme.

Kristina Sota