+ Anastasi
Me mëshirë të Perëndisë, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë
Klerit të devotshëm dhe popullit shpresëtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Fort të shtrenjtë, bij më Krishtin,
I
“Edhe asnjeriu s’i thanë gjë; sepse kishin frikë” – (Marku 16.8). Mbase na çudit kjo frazë, me të cilën përfundon pjesa e Ungjillit që lexohet natën e Pashkës. Mes kulmit të fitores së Ngjalljes, e pranishme edhe frika; së bashku me heshtjen. Ishte aq tragjik përjetimi nga të gjitha ato që ndodhën në Golgota, por edhe aq e fuqishme tronditja nga mesazhi i engjëllit përpara varrit bosh, saqë edhe nxënëset më të devotshme të Krishtit “i zunë të dridhura dhe ngelën të habitura”.
Druajtjen, frikën dhe heshtjen, që imponon realiteti i ashpër dhe urrejtja e egër e armiqve të Krishtit, i kanë në veçanti njohur edhe të krishterët orthodhoksë të Shqipërisë. Për më tepër që hija e rëndë e së kaluarës nuk është larg. Ndoshta, disa vëzhgues, të guximshëm në sigurinë e tyre të rehatshme, habiten dhe gjykojnë pa menduar. Frikën dhe heshtjen mund nganjëherë ta jetojnë edhe ata që e duan Krishtin në mënyrë të padiskutueshme dhe guxojnë TA pasojnë Atë deri në Golgota dhe TA kërkojnë “që pa gdhirë” në agimet e thella të një epoke të re.
Por, këto ndjenja të rënda përcaktojnë vetëm një fazë. Pason lajmi i Ngjalljes, që përmblidhet në shërbesën e Pashkës “Krishti u ngjall….”. Dhe ky lajm, i përsëritur në buqeta të njëpasnjëshme dritëplota gëzimi, thyen heshtjen, shpërndan frikën dhe përcakton të ardhmen. Pra, sa e natyrshme dhe e ligjshme është ngadonjëherë të shfaqet frika në jetën tonë, vëllezër të mi, aq më tepër e pajustifikueshme është të qendrojë në zemrat e atyre që besojnë se Krishti u ngjall.
Nga se të kemi më frikë? Planet dhe gracët e atyre që përbuzin Krishtin? Fuqia e Atij që u ngjall i shpërndan kërcënimet, siç shpërndan era tymin dhe zjarri shkrin qiriun. “Do të humbasin si tymi në erë, do të shkrijnë si dylli përpara zjarrit”. Sado që kundërshtarët e Krishtit duken të fuqishëm dhe të paskrupullt, Zoti i ngjallur ka fjalën e fundit. Nëpërmjet Kryqit dhe Ngjalljes së tij fuqitë demonike, që janë shkaku i urrejtjes, i luftës, që janë arsyeja e së keqes, u mundën plotësisht, edhe pse në disa drejtime këto fuqi rezistojnë dhe kanë arritje të përkohshme. Zoti i ngjallur është Omega, fundi i historisë. Rrjedhimisht edhe i historisë sonë.
Apo mos vallë do të na trembin varfëria e zgjatur, padrejtësia dhe pasiguria? Premtimi se Krishti i Ngjallur, “Ai që përmban gjithësinë” dhe Gjykatësi i drejtë është me ne na mbështet. Por, as fajet tona të vjetra, mëkatet e mohimet nuk mund të brengosin zemrën. Sigurisht, përderisa të jemi penduar dhe të kërkojmë mëshirën e Atij që u ngjall. “Asnjë të mos qajë për faje, se ndjesa lindi nga varri”. A mos vallë frika e dhimbjes, e sëmundjes, e prishjes apo madje edhe hija e vdekjes, kanë të drejtën të rëndojnë shpirtërat tanë? “Asnjë le të mos ketë frikë nga vdekja, se na çliroi vdekja e Shpëtimtarit”. Zoti që dërrmoi vdekjen me Ngjalljen e Tij zhduku prishjen, që u rrënjos me mëkatin në natyrën njerëzore, “dhe me Pësimin shpëtimtar na stolisi me jetën që nuk vdes”. Vështrimin plot shpresë dhe parashijimin e fitores përfundimtare mbi çdo gjë që shtrëngon qenien njerëzore, kremtojmë ditën e Pashkës.
II
Përshëndetja e Krishtit të ngjallur drejtuar nxënësve të tij të trembur, që ishin mbyllur në një vend të sigurt “nga frika e Judejve”, qe: “Paqe mbi ju” (Joani 20.19). Në kushte të vështira, atëhere kur jemi pa rrugëdalje dhe ndihemi të dobët para të fuqishmëve të çdo kohe, Zoti i ngjallur vjen përsëri “nga dyer të mbyllura”, për të ridhënë mesazhin, përshëndetjen, premtimin “Paqe mbi ju”.
Mesazhi është i qartë: “M’u dha çdo pushtet, në qiell dhe mbi dhe” (Math. 28.18). Për të theksuar në mënyrë të pakundërshtueshme se ishte Krishti i kryqëzuar dhe për të shpjeguar pa fjalë se arriti fitoren, “u tregoi atyre duart dhe brinjën e Tij” (Joani 20.20). Paqja, të cilën Krishti u dhuroi nxënësve të Tij dhe gjithë botës, u sigurua me flijimin e Tij, me plagët e Tij, me Kryqin e Tij. Ai mbetet simboli, përmbledhja, rrënja mistike e paqes, që solli në jetën tonë.
Por, përshëndetja e Atij që u ngjall, përcakton gjithashtu detyrimin tonë dhe mënyrën e plotësimit të tij. “Paqe mbi ju” u përsëriti Krishti nxënësve të Tij të frikësuar. “Ashtu si Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj ju”. Nxënësit nuk shkojnë me aftësinë e tyre. Krishti i Ngjallur i dërgon të vazhdojnë veprën e shpëtimit dhe të paqes, që Ai e filloi dhe e plotësoi, i dërguar nga Ati i Tij. Ashtu edhe gjithë nxënësit e Krishtit gjatë shekujve kemi një mision: Të punojmë për një paqe të përgjithshme; paqe me Perëndinë, me veten tonë, me çdo figurë njerëzore, me krijesën, me botën mbarë.
Fjala “ashtu” përcakton gjithashtu mënyrën, karakterin e nxënësve të Krishtit në përmbushjen e detyrimit dhe të luftës sonë për paqen. “Ashtu si më dërgoi mua Ati…” Jo – me fuqinë e Çezarit, me pushtetin politik a ekonomik, por me fuqinë e dashurisë së painteres, të përulësisë së sinqertë, të maturisë, të vetëmohimit dhe të vetësakrifikimit heroik, të fuqisë mistike të pafuqisë sonë më Krishtin.
Burimin e kësaj fuqie e zbulon vazhdimi: “Dhe si tha këto, fryu dhe u tha atyre: Merrni Shpirtin e Shenjtë.” (Joani 20.22) Do të jeni lajmëtarët, faktorët e paqes, jo nga vetja juaj, por nga veprimi i vazhdueshëm i Shpirtit të Shenjtë brenda jush. Kjo “fryrje”, fryma, qe unaza e Pendikostisë. Gjithmonë egziston një shprehje e trinishme e paqes, të cilën Zoti i ngjallur shpall te nxënësit e tij: Paqja që vjen nga Kreu i paafrueshëm hyjnor, Ati, nëpërmjet veprës shpëtimtare të Birit brenda në histori, dhe vazhdohet pandërprerë brenda në kohë, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Shpirti i Shenjtë, me energjitë e tij të panjohura dhe të pakonceptueshme për ne, aftëson njerëzit në të gjitha gjatësitë dhe gjerësitë e botës dhe historisë, të jenë njerëz të paqes, duke bërë madje edhe mrekulli, kur të gjitha rreth nesh janë të mbyllura.
Mes dritës së Ngjalljes, pra, le t’i urojmë njëri-tjetrit: Krishti u ngjall! Larg frika dhe shqetësimi nga mendja dhe nga zemra. Paqja e Pashkës le të sundojë në shpirtrat tanë; dhe le të punojmë që të mbizotërojë në mjedisin tonë të ngushtë, në vendin tonë dhe në rajonin më të gjerë ku jetojmë. Krishti u ngjall!
Tiranë Pashkë 1994