Më datë 18 shtator, filloi Censi i ri. Anketuesit do të shkojnë në çdo shtëpi për të regjistruar të dhënat. Por kujdes, pyetjen për besimin e kanë lënë fakultative dhe mund të mbetet edhe pa përgjigje. Ndryshe nga gjithë pyetjet e tjera, nuk ka asnjë penalitet për këtë. Nevojitet vigjilencë, për të mos u përsëritur problemet e vitit 2011. Prandaj nevojitet njoftim i vazhdueshëm i familjeve orthodhokse gjatë procesit, që të mos bien pre e tendenciozitetit të një pjese të regjistruesve.
Gjatë 100 viteve të pavarësisë së shtetit shqiptar janë kryer vetëm dy regjistrime në të cilat përfshihej pyetja mbi përkatësinë fetare. Sipas statistikës së vitit 1927, kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67,5%; orthodhoksët 22,3% dhe katolikët 10%. Ndërsa sipas regjistrimit tjetër të kryer nga autoritetet italiane, në vitin 1942, të dhënat e nxjerra ishin: myslimanë 68,9% të popullsisë (nga të cilët sunitë 54,17% dhe 14,73% bektashinj) dhe të krishterë 31% (nga të cilët orthodhoksë 20,7% dhe katolikë 10,3%).
Sipas të dhënave kishtare që disponohen (regjistrat e pagëzimit, para dhe pas persekutimit, si dhe nga regjistrat e 460 famullive orthodhokse në të gjithë vendin) numri i të krishterëve orthodhoksë e tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë. Me të drejtë mund të ngrihet pyetja: Ku përfunduan në Censin e kaluar mbi 17% e orthodhoksëve?
Në Censin e fundit të vitit 2011, sipas statistikave zyrtare të shpallura nga INSTAT-i, të krishterët orthodhoksë në Shqipëri përbënin 6,75%. Pa dyshim bëhet fjalë për një gabim statistikor fare të qartë ose më saktë – për një gënjeshtër.
Atëherë, pas grumbullimit të 25.870 anketimeve me shkrim të besimtarëve orthodhoksë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, 17.360 prej tyre (ose 67.10%) deklaruan se nuk u vizituan nga regjistruesit, ose nuk u pyetën (dhe nuk shkruan) për përkatësinë fetare. Në vazhdim, u konstatua se ky numër ishte edhe më i madh.
Kini kujdes! Si në Censin e kaluar, në media ka nisur sërish një fushatë e egër kundër besimit orthodhoks. Të gjitha besimet e tjera mund të regjistrohen pa problem, kurse besimtarëve orthodhoksë u bëhet thirrje të mos e deklarojnë besimin e tyre me arsyetime të nacionalizmit primitiv të më shumë se një shekulli më parë.
Ndaj, besimtarët duhet t’u kërkojnë regjistruesve të mos anashkalojnë pyetjen mbi fenë (siç edhe ka ndodhur në disa raste në të gjithë vendin).
Thoma Dhima