Paravoli të dobishme
Mendjelehtësia
Filozofi Dimosten u foli një herë banorëve të Athinës për disa punëra të bukura e të dobishme. Mirëpo ata nuk ia vunë veshin, por bënin potere të madhe.
“Dëgjoni, – u tha atëherë Dhimosteni, – kam për t’ju treguar një ngjarje të çuditshme.” Dhe populli menjëherë heshti.
“Një i ri, – tha, – u nis për një udhë të gjatë dhe mori me qira një gomar. Ishte verë dhe dielli të përvëlonte. Udhës s’kishte asnjë pemë. Vetëm gomari lëshonte në njërën anë ca hije, në të cilën që të dy, edhe i riu, edhe qiraxhiu, donin që të çlodheshin. Por hija ishte sa për një, ndaj qiraxhiu i thotë të riut: “Unë të kam dhënë me qira vetëm gomarin, por jo dhe hijen e tij, kështu që, s’ke të drejtë të shtrihesh”. “A, jo – i përgjigjet i riu, – unë kam marrë me qira gomarin me gjithçka ka me vete”.
Dhe kështu lindi një grindje e madhe. Deri këtu e tregoi Dimosteni ngjarjen dhe pastaj vazhdoi mësimet e tij që kish filluar.
“Po me hijen e gomarit ç’u bë?” – nisën të bërtasin athiniotët.
“Shihni – u tha ai – më tepër doni të dini se ç’u bë me hijen e gomarit, se të mësoni gjëra të mira dhe të dobishme për jetën…”
* * *
Kështu është dhe sot, vëlla i dashur. Kur do që të përhapësh mësime me vlerë në shoqëri, nuk ta vë veshin njeri, ndërsa para një shfaqjeje komike ose para një ngjarjeje të pa ndonjë rëndësie mblidhet tërë bota për të dëgjuar pallavrat e njërit ose të tjetrit, në kishë, ku lëçiten mësimet më të bukura për jetën, nuk të vjen njeri.
Kur dëshiron që të përhapësh disa libra dhe revista me përmbajtje morale që e lartësojnë dhe e fisnikërojnë njeriun, atëherë, gjithsecili kthen krahët, duke thënë se s’ka për t’i paguar, ose nuk i nevojiten. Por, po të nxjerrësh për të shitur ndonjë libër me ikona të dobëta, me këngë të turpshme, me tregime për kriminelët e spiunët, me vepra imorale, atëherë gjithsecili zgjidh qesen e vet dhe i blen.
Dhe përfundimi? S’është nevoja që ta tregojmë vëlla i dashur. Mjafton të hedhësh një sy në shoqërinë e sotme për ta parë vetë.
Dh. Beduli