Kemi hyrë në periudhën e Kreshmës së Madhe të Pashkës, e cila filloi më 15 mars e vazhdon deri më 2 maj, në të kremten e Ngjalljes së Krishtit. Ja çfarë kanë thënë për kreshmën disa nga Etërit e Kishës.
1. “Nuk duhet të kreshmojë vetëm goja, por edhe syri, edhe veshi, edhe këmbët, edhe duart, edhe të gjitha pjesët e trupit tënd. Syri duhet të privohet nga pamjet e papastra, veshi nga thashethemet dashakeqe, duart nga veprimet e padrejta” – Shën Joan Gojarti.
2. “Kreshma është një dhuratë e çmuar e Perëndisë. Traditë shumë e lashtë që u ruajt si trashëgimi atërore dhe arriti deri në ditët tona” – Shën Vasili i Madh.
3. “Kreshma! Është një përpjekje që bën njeriu kundër natyrës së tij për të pasur uri dhe etje. Është një shpatë që pret grykën dhe pengon gjellët e ëmbla e të shijshme. Është një bar që shuan çdo zjarr trupor, që largon nga shpirti mendime të liga dhe e çliron atë nga ëndrrat e pështira dhe fantazitë e molepsura. E bën të ndihet i qetë në lutje, të ndriçohet nga Perëndia dhe të ruajë mendjen. T’i mbajë sytë hapur dhe të jetë i dërmuar, të psherëtijë dhe të qajë me lot e përulësi. Të ndërpresë fjalët e tepërta, të qetësohet në heshtje, të shmangë të ngrënët e tepërt, që të mbajë trupin e shëndetshëm, sepse kreshma është nëna e shëndetit. Ajo sjell pastërti, dëbon mëkatet dhe hap portën e Parajsës nga ku u dëbua Adami, i cili nuk kreshmoi” – Shën Joan Sinaiti.
4. “Kreshma e vërtetë është kur distancohemi nga të këqijat. Qëndrimi larg ushqimit ka si qëllim të frenojë forcën e trupit dhe të largojë çdo mëkat. Ai që kreshmon vërtet, duhet të jetë i butë, i qetë, i përulur, bujar dhe i dhembshur. Të dëbojë nga shpirti çdo ligësi të njeriut që ka pranë. Më mirë të bëjmë kreshmë dëshirash të liga, sesa kreshmë ushqimesh. Mos bëjmë asgjë që ka për qëllim lëvdimin e njerëzve. Kjo është kreshma e vërtetë” – Shën Joan Gojarti.
5. “Në kreshmim njeriu nuk duhet t’i bindet vetëm rregullit të grykësisë në lidhje me ushqimin, por të frenohet edhe nga çdo mëkat, kështu që, ndërsa agjëron, gjuha të agjërojë gjithashtu duke u frenuar nga shpifjet, gënjeshtrat, përgojimi, poshtërimi i vëllait, zemërimi dhe çdo mëkat i kryer nga vetë ajo. Gjithashtu duhet të agjërojnë edhe sytë, të mos shohin gjëra të kota, mos të shohin asgjë pa turp e pa ndrojtje. Duart e këmbët duhet të ruhen gjithashtu nga veprimi i keq” – Ava Dhorotheu i Gazës.
6. “Kreshma përul trupin, agripnia pastron mendjen, qetësia sjell heshtjen, heshtja sjell lotët, nëpërmjet të cilëve njeriu pagëzohet sërish dhe largohet nga mëkati” – Ava Logini.
7. “Kreshma është ilaç” – Shën Joan Gojarti.
8. “Të jesh i gëzuar dhe i lumtur, sepse nga mjeku t’u dha një ilaç që zhduk mëkatin”. Ashtu si krimbat në zorrët e fëmijëve zhduken me ca ilaçe të hidhura, kështu edhe kreshma e vërtetë e vret mëkatin që fshihet në brendësi. “Lyej kokën tënde dhe laj fytyrën tënde. Mos e ndrysho fytyrën tënde siç bëjnë hipokritët. Ai që je, i tillë të dukesh. Mos ndrysho pamje, që të dukesh i vrerët, me qëllim që të fitosh emër të mirë, duke dhënë përshtypjen e kreshmës” – Shën Vasili i Madh.